Kryesore “Pse Rama e poshtëroi Metën me shkarkimin e Manjanit”

“Pse Rama e poshtëroi Metën me shkarkimin e Manjanit”

Nga Agron Gjekmarkaj

Edi Rama dhe Ilir Meta, dy “qetë” e lidhur në plorin e maxhorancës, e cila qeveris vendin prej gati katër vitesh, e tërheqin atë në drejtime të ndryshme. Ata, po laskarojnë arën që duhet të lërojnë. Marrëdhëniet e tyre kanë krijuar lajme me shumice, por jo punë. Madje, ato kanë patur një efekt topitës mbi qytetarët. Kurioziteti, habia dhe rendja pas thashethemit në një alternim të dendur, u kanë zënë vendin pritshmërive për standarde ekonomike e politike, sipas premtimeve të bëra. Teatri ka zënë kohën tonë.

Qysh pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, klima mes bashkëkryetarëve dhe partive të tyre u bë e athët. Insinuatat, akuzat dhe plasjet e zemrës të mbinin te këmbët, aty-këtu në aq kohë sa të duhet për t’u mbushur me frymë. Çështja CEZ-DIA e shtatorit 2015 i çoi ata në skaje moskthimi në dukje. Kjo ishte prova e madhe e Ramës për të larë hesapet me Metën me parullën “sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet”. Skraparliu u ngjit në malet e tij e nga atje kërcënoi e aludoi aq shumë, sa dukej punë orësh copëtimi i koalicionit “rilindas”. Gjindja pas Ramës farkëtonte çelik për prangat e Metës. Rruga e hasmërisë dukej e asfaltuar më së miri. Por jo, ata u kthyen prapë të buzëqeshur e hokatarë në krahët e njëri-tjetrit krejt si në eposin e kreshnikëve, ku Halili dhe Zuku Bajraktar ngjatetoheshin pas lëngimeve që u shkaktonte ndarja. Furtuna shuhej në çast se asnjë parim nuk i ndezte ato! Ngjarjet shndërroheshin në përralla, akuzat në përkëdhelje lozonjare. Buzëqeshjet duheshin kuptur si tekst shfajësimi sikur thuhej “hajt ma se politikë po bëjmë dhe politika gënjeshtër është”!

Asnjë qeder, asnjë kosto publike, asnjë shqetësim etik, asnjë ndjesë për shoqërinë të hallakatur në kërkim të bukës së përditshme nuk përvijohej gjëkundi. Ndodhte kështu sepse bashkimi nuk u bë mbi ide, mbi program apo mbi ndonjë pozitivizëm për ta bërë Shqipërinë më të mirë, por thjesht si aritmetikë e sigurt numrash për të marrë dhe mbajtur pushtetin.

Këtyre aneve kaloi edhe reforma në drejtësi si dasëm xhindesh, në të cilën Ilir Meta luajti një rol kyç dhe pozitiv, duke e bërë klimën trepolare. Ai frenoi oreksin e Kryeministrit për nënshtrim total të sistemit. Në këtë rast, Meta i bëri një shërbim vendit, duke bashkuar qëndrimin me Opozitën. Në këtë pikë, Ilir Metës i duhet dhënë çfarë i takon Ilir Metës. Kryetari dyfish, i Parlamentit dhe LSI-së, atij korriku të nxehtë doli e foli për dorëheqje, për qeveri teknike e zgjedhje të parakohshme. Tirana ziente nga ethet. U tha se provën e forcës e fitoi Kryeministri, i cili ia doli të joshë më shumë se 71 deputetë për ruajtur karrigen e tij.

Erdhi vjeshta, kohë kur dallandyshet shtegtojnë. Rama dhe Meta dolën përsëri t’i përcillnin së bashku për në Misir. Meta nuk pat kurajo të ikë e ndoshta nuk dëshironte në të vërtetë të ikte. Rama nuk guxoi ta dëbonte e mbase as që e mendonte. Veprimin e zëvendësoi të mos bërit asgjë. Shtyje ta shtyjmë, ishte motoja. Gjithmonë na thuhet se kjo ndodh për interesa strategjike dhe për stabilitetin e vendit. Në fakt ky është thjesht një justifikim. Ndodh kështu veç për interesat strategjike të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Vendi nuk qeveriset dhe partnerët e koalicionit nuk i bashkon asgjë veç kularit të pushtetit. Keqqeverisja është më e rëndë se çdo palë zgjedhje të reja. Ndërsa Rama dhe Meta mendojnë se të qenit në opozitë është më e keq se çfarëdolloj pushteti. Pasi harxhuan shumë energji e lodhja në beteja principesh i kaploi, kombinuan disa darka për të kërkuar paqen nëpërmjet stomakut. Por stomaku zbrazet shpejt dhe uria bën të veten mbi nervat dhe humorin.

Ilir Meta nuk i beson për asgjë Edi Ramës, mbase edhe për faktin se në çdo rast Kryeministri është munduar t’i fusë stërkëmbëshin. Edi Rama nuk e ka dashur kurrë atë, por ka më të madh hallin se qejfin. Besimit ia ka zënë vendin frika dhe vigjilenca e ndërsjelltë. Besimi është një virtyt i panevojshëm në politikën shqiptare. Frika të sjell vërdallë tepelekun dhe të shtrëngon rripin. Ajo të bën esëll dhe terbiet. Ajo lidhet me zgjedhjet e qershorit. Meta druan kasaphanën e tyre edhe në kurriz të tij. Pastaj, Zot na ruaj, ç’dimër vjen prapa! Kjo është një frikë e dobishme edhe për ne të tjerët.

Duhet pohuar se LSI dhe ministrat e saj gjatë këtij mandati patën rast të “purifikohen”. Në dukje, për ta kanë munguar akuzat dhe skandalet. Gjosha, Panariti, Haxhinasto, Manjani, Dervishaj, Koka nuk janë përfolur si Beqaj, Tahiri, Gjiknuri, Harito e të tjerë. Vetë Meta nën mrizin e kryetarit të Kuvendit ka dalë jashtë kësaj vorbulle, teksa Ramën e mbështjell në të gjithë gjatësinë e tij.

Ky perceptim nuk e dlir dhe nuk e bën të virgjër LSI-në në këtë qeverisje dhe kjo parti në zgjedhjet e qershorit duhet të japë llogari për peshën e saj në këtë ekzekutiv së bashku me Edi Ramën, pjesën e saj ndonëse më të vogël aty e ka. Zgjedhjet në Amerikë dhe fitorja e Trump e ka ndërlikuar pozitën e Edi Ramës. Ankthi i lexohet pa shumë mundim.

Ilir Meta mori pjesë në inaugurimin e Trump-it dhe u takua me kryetarin e Senatit Amerikan, begenisje e rëndësishme kjo. Me t’u kthyer, ai befasoi duke i dërguar një letër Presidentit Nishani ku i kërkohej që me urgjencë të mblidhej Këshilli i Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili”. Petrit Vasili la të kuptohej se kjo ishte një kërkesë amerikane. Po ashtu, alteregoja e Metës (Vasili) çuditi ende më me porosinë e pazakontë për të vetët, atë të të bërit kujdes se policia ju fut drogë në makinë. Hipoteza të denja për një klan mafioz, jo për një shtet demokratik.

Tabela e qitjes është Qeveria, besueshmëria e saj dhe sidomos ministri i Brendshëm, Tahiri, i cili ngjan të ketë propozuar edhe një slogan elektoral ditën e diel, “fronti i së keqes”, ku aludohet edhe për LSI-në. Të gjitha këto janë gjeste distancuese dhe diskretituese nga ana e Metës. Të shtunën, ministri Lefter Koka lëshoi “bomba”, të cilat do ta dënonin me “vdekje” çdo koalicion. Orët kalojnë, por jo, ai (koalicioni) ende vazhdon. Akuzat e tij ishin më tepër se të rënda. Politikisht ato ishin të tmerrshme. Ndonëse çfarëdo që të thotë, LSI nuk mund të sillet si opozitë se ka tetë vjet në pushtet. Ajo nuk mund të mbledhë konsensus opozitar. Koka tha se zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik nga kanabisi, kriminelët dhe policia, se Durrësi i Vangjush Dakos është një ferr dhe se do duhej të kishte fituar kandidatja e opozitës, Grida Duma. Që kulaçi të mbetej ende i ngrohtë, për t’i shtënë dru zjarrit mendon Vangjel Tavo, i cili gjatë ditës së shtunë vazhdoi me të njëjtat akuza për policinë.

Edi Rama reagoi në rrjetet sociale nga Firence ku po pushon në fund të kësaj jave zeher, duke thënë se “karvani shkon përpara, qentë le të lehin”. Nuk është e vështirë për të kuptuar se kujt po ia adreson fjalën qen. Luan Rama më i sulmuar në sedër, me një gjuhë të turbullt si jardun, tha e dimë se kush janë qentë, po nuk dimë se kush është karvani.

Nga kjo kronikë shihet qartë se asgjë nuk e bashkon PS-në me LSI-në, madje as nuk bëjnë përpjekje ta fshehin urrejtjen që zien. Po ata ndalen bash në momentin kur duhet një zgjidhje. Frika se mos humbasin pushtetin dhe beneficet që vijnë prej tij i bën të jetojnë të divorcuar brenda shtëpisë. Morali politik dhe ai publik kanë vdekur. Vendi në fakt nuk qeveriset. Pas qëndrimesh të tilla (ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duken kaq të ashpërta) nuk ka asnjë kuptim koalicioni mes tyre. Dhe teatri i këtyre ditëve ku vizatohej “apokalipsi” mes PS dhe LSI përfundoi me “kokën” e Manjanit në “tepsinë” e Edi Ramës. U fol për shumë skenarë, që u rrëzuan si kështjellat e fëmijëve në breg të detit përballë nxehtësisë që lëshon pushteti. Manjani ishte ministri më i artikuluar, pse jo edhe më i guximshmi (me apo pa leje të Metës, këtë nuk dimë me saktësi) gjithsesi ai po bën akuza katastrofike që bëjnë me përgjegjësi qeverinë e më shumë se këdo Ramën dhe Metën si pushtetndarës. Në sytë e opinionit publik, Rama e poshtëroi Metën me largimin e Yllit të drejtësisë. Por nga gjithsa i poshtëruar mbetet qytetari shqiptar, i cili duhet t’i kapërdijë këto palaçollëqe me natyrshmërinë e bukës së përditshme.

Nuk ka asnjë kuptim një aleancë për të ardhmen. Historia e këtyre viteve na ka mësuar se kuptimi nuk është qëllimi i tyre, pazari po. Prej tij konturohet pushteti si e vetmja gjë që ka kuptim për ta. Do ta përgënjeshtrojnë këtë traditë, apo do të vazhdojë telenovela “Bidai”? Mbetet për t’u parë! Ndërkohë kjo sjellje është një fyerje për etikën publike. Ndoshta një fyerje e merituar, për një shoqëri që shfaqet indiferente ndaj fatit të vet.