Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ironizuar sot debatet që po ndodhin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë një forumi në Moskë, shefi i Kremlinit tha se tashmë vendin e Rusisë e ka zënë një shtet tjetër në grindjet e brendshme politike amerikane.
“Falë Zotit nuk po na akuzojnë më për ndërhyrje në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara. Tani ata po akuzojnë Ukrainën”, u shpreh Putin.
Më tej ai shtoi se ky aspekt i politikës së brendshme po dëmton marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. “Shpresoj që kjo të përfundojë një ditë”, nënvizoi presidenti rus.
Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konfirmuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016 në favor të Donald Trump. Por Moska ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje.