Inter buzëqesh, pasi përveç triumfit në Torino, në të njëjtën mbrëmje, sulmuesi Gabriel Barbosa shënoi dy herë në portën e River Plate në finalen e Kupës së Libertadores, duke i dhënë trofeun skuadrës së Flamengos, ku është në huazim.
Sulmuesi brazilian, që është në pronësi të Interit, por i huazuar te Flamengo, ishte padyshim heroi i mbrëmjes dhe zuri faqet e para të kopertinave të mediave sportive në botë, ndërsa vlera e tij në merkato pritet të kalojë shifrën e 40 milionë eurove.
Zikaltrit blenë Gabigol në verën e 2016-ës përreth 32 milionë euro nga Santosi, por pas një sezoni në Milano, sulmuesi nuk u përshtat dot dhe u rikthye ne Brazil në huazim, fillimisht te Santros dhe më pas te Flamengo.
Këta të fundit nisën negociatat për blerjen përfundimtare të sulmuesit në Dhjetor të këtij viti, për shifrën e 22 milionë eurove, por natyrisht që pas mbrëmjes së djeshme, vështirë se Marotta e Ausilio do të pranojnë një shifër të atillë.
Për Gabigol kanë shfaqur interes edhe klube të tjera europiane si Valencia e Sevilla në Spanjë, por edhe Crystal Palace e West Ham në Premier League, të cilat pas mbrëmjes së djeshme mund të ofrojnë deri në 40 milionë euro.
Nëse zikaltrit do të arrijnë të arkëtojnë një shifër të tillë, do të bëjnë “bingo”, pasi kujtojmë që pas 3 sezonesh e gjysmë, vlera e Gabigol në bilanc nuk peshon më shumë se 10-12 milionë euro dhe plusvalenca në këtë rast do të ishte vërtetë e lartë.