Dy javë përpara Krishtlindjeve, shfaqjet e ndryshme që organizohen me rastin e festave të fundvitit, do të shtyhen për më vonë sepse të gjitha sallat kryesore ku zhvilloheshin ato do të shndërrohen në qendra votimi, shkruan The Economist.
Britania do të përballet me zgjedhjet e treta të përgjithshme, në pak më shumë se katër vjet, si rezultat i faktit se deputetët e sotëm nuk bien dakord mbi mënyrën sesi Britania duhet të largohet nga Bashkimi Europian, apo edhe nëse kjo e fundit duhet të largohet apo jo. Boris Johnson, Kryeministri i Partisë Konservatore, premton se me shumicën në krah “do t’i japë fund Brexit”. Jeremy Corbyn, rivali i tij i Partisë Laburiste, propozon një referendum të dytë, për t’i dhënë fund, në këtë mënyrë, të gjithë situatës në fjalë, e cila duket se nuk do të përfundojë kurrë.
Padyshim ky do të përfaqësojë një moment shumë të rëndësishëm për Britaninë. Edhe pse ato po konsiderohen kryesisht si zgjedhjet e Brexit, do të diskutohen edhe çështje të tjera, përveç marrëdhënieve të Britanisë me Europën. Z. Corbyn, i ekstremit të majtë, premton ta vendosë shtetin në zemër të ekonomisë, ndërsa konservatorët e z. Johnson duket se po shkojnë drejt një forme më liberale të kapitalizmit. Gara e Krishtlindjeve në Britani konsiderohet si një prej garave më të rëndësishme gjatë gjithë historisë së këtij shteti. Si pasojë e sondazheve të paqëndrueshme, të partive të tjera që nuk e kanë deklaruar mbështetjen dhe akseve të reja ideologjike që përcaktojnë votuesit, përcaktimi i rezultateve paraprake është gjithashtu i paparashikueshëm.
Në Britani, diskutohet prej kohësh se zhvillimi i një referendumi të dytë do të ishte mënyra më e mirë për t’i dhënë fund “Brexit të pazgjidhshëm”. Dhoma e Komunave është e ndarë në dy pjesë, sepse jo të gjithë e mbështesin “marrëveshjen ndoshta fatale” të propozuar nga z. Johnson, njësoj siç ajo ishte edhe gjatë negociatave me paraardhësen e tij, Theresa May.
Ndërsa Parlamenti ka dëshmuar paaftësinë për të organizuar një referendum të dytë, ashtu siç ai ka dështuar në shumë çështje të tjera. Dhe në vend që të pranojë ndryshime në planin e tij, z. Johnson ka zgjedhur të pranojë zhvillimin e zgjedhjeve. Tani për tani, nuk bëhet fjalë për zhvillimin e një referendumi, ai është plotësisht jashtë axhendës. Ata që do të kenë zgjedhjen më të vështirë për të bërë janë votuesit, edhe pse partitë britanike janë përpjekur që t’u ofrojnë votuesve të gjitha zgjedhjet. Partia, e cila përbëhet vetëm nga mbështetësit e vijës së ashpër të Brexit propozon një dalje të menjëhershme nga BE, pa nënshkruar asnjë marrëveshje; Zhvillimin e një Referendumi të Dytë nga Partia Laburiste dhe anulimin e plotë të Brexit nga Partia e Demokratëve Liberalë. Sidoqoftë, votuesit duhet t’i mirëbalancojnë këto politika ndaj pjesës tjetër të programit të ofruar nga këto parti, që në disa raste janë ekstreme.
Partia Laburiste propozon një model të ri ekonomik në të cilin roli i shtetit do të ishte shumë i rëndësishëm, ndikimi i tij do të ishte i madh. Disa kundërshtarë të laburistëve shprehen se edhe në rastin sikur z. Corbyn të arrijë të bëhet pjesë e Parlamentit, i mbështetur vetëm nga një minorancë e vogël, dëmi që ai dhe Partia e tij mund t’i shkaktonin Britanisë do të ishte shumë i madh. Pavarësisht nëse Kryeministri i ardhshëm britanik do të jetë mbështetësi i vijës së ashpër të Brexit, z. Johnson apo socialisti Corbyn, ekonomia e këtij shteti do të marrë një goditje të fortë.
Plani i Brexit i z. Johnson do ta shtynte Irlandën e Veriut gjithnjë e më pranë Republikës së Irlandës. Ndërsa z. Corbyn do të mbështeste Partinë Kombëtare Skoceze vetëm për të përfituar më shumë vota në Parlament. Sipas sondazheve, edhe një fitore nga ana e nacionalistëve është e mundur. Kjo parti do të marrë mbështetjen e votuesve, të cilët duan që Mbretëria e Bashkuar të qëndrojnë e bashkuar dhe që nuk pëlqejnë as socializmin dhe as Brexit e vijës së ashpër. Por se cilët do të jenë humbësit nuk mund të përcaktohet paraprakisht sepse kjo është një garë e paparashikueshme.
Sondazhet i rendisin Konservatorët 12 pikë përpara laburistëve. Por këto sondazhe nuk mund të merren si referencë e rezultateve përfundimtare, sepse ato janë të paqëndrueshme. Vetëm disa muaj më parë, konservatorët u renditën në vend të tretë.
Këtu mund të sjellim ndër mend edhe rastin e znj. May, e cila në sondazhet paraprake të 2017, dilte me një epërsi prej 20 pikësh ndaj rivalit kryesor, ndërsa pesë javë më vonë humbi shumicën. Që prej asaj kohe, situata në Britani është bërë edhe më e ndërlikuar. Krijimi i partisë së vijës së ashpër të Brexit, do t’i marrë një numër të madh votash Partisë Konservatore, në të njëjtën mënyrë që do t’i marrë edhe krijimi i Partisë së re të Demokratëve Liberalë të mbetur, Partisë Laburiste.
Herën e fundit që Britania zhvilloi zgjedhjet, rreth dy vjet më parë, të shumtë ishin ata që u ankuan për “mungesën e një partie” e cila do të qëndronte ndërmjet dy ekstremeve kryesore. Që atëherë, ecuria e Demokratëve Liberalë, të cilëve në fillim iu dha një mbështetje e kufizuar, është zhvilluar shumë. Por edhe ata nuk qëndrojnë në mes të dy ekstremeve kryesore partiake. Në këto zgjedhje, konservatorët po përpiqen të marrin sa më shumë vota nga klasa punëtore, duke u premtuar atyre një Brexit të vijës së ashpër dhe një konservatorizëm social.
Ndërkohë, Laburistët synojnë të marrin sa më shumë vota në zonat urbane, duke u premtuar atyre një liberalizëm social. Është e mundur që taktika të tilla të mos funksionojnë, njësoj si në rastin e znj. May, e cila provoi diçka të ngjashme në 2017, dhe zbuloi se klasa punëtore e britanikëve veriorë ishte ende alergjike ndaj konservatorëve. Por sa më shumë që këto dy parti kryesore të përqendrohen në këto drejtime të reja, aq më e polarizuar do të bëhet politika britanike. Pyetjet e ndryshme në drejtim të ekonomisë, mund të zgjidhen shpeshherë nëpërmjet një kompromisi, ndërsa mosmarrëveshjet për identitetin dhe kulturën janë më të vështira për t’u zgjidhur.
Krijimi dhe fuqizimi i partive të vogla, po ia bën gjithnjë e më të vështirë rrugën partive kryesore, në mënyrë që këto të fundit të fitojnë bindshëm me një shumicë votash. Nëse z. Johnson do të arrijë të marrë vetëm një numër të vogël votash, atëherë ai do të jetë në mëshirë të partisë Brexit të vijës së ashpër, në të njëjtën mënyrë që ishte edhe znj. May. Nëse z. Corbyn do të hyjë në Parlament nëpërmjet mbështetjes së partive të tjera, ai mund ta ketë të vështirë të zgjidhë këtë enigmë të madhe. Zgjedhjet e ardhshme do të shoqërohen padyshim me pasoja të rënda për Britaninë. Por mos u çuditni nëse edhe pas një viti, ky shtet do të jetë në po të njëjtën situatë, duke diskutuar sërish në lidhje me zgjidhjen e mundshme që do t’i japë “Brexit”.