Yjet e sportit, nga të gjitha trojet shqiptare janë solidarizuar me viktimat e tërmetit që tronditi Shqipërinë, në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte. Në distancë, nga shtetet ku luajnë, të gjithë futbollistët e Kombëtares po ndjekin me ankth zhvillimet në vend, ku operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë me intensitet, me shpresën se do të gjenden të tjerë të mbijetuar.
Nga ish-kapiteni Lorik Cana dhe ish-fantazisti Ervin Skela, për të vijuar me Strakoshën e Berishën, apo edhe Ismajlin, Ramadanin, Xhakën, Abrashin, Grezdën, Balajn e Sadikun sa për të përmendur disa emra. Të gjithë yjet kuqezi kanë përdorur hashtagun “Lutuni për Shqipërinë”.
Solidarizim edhe nga futbollistët shqiptarë të Zvicrës, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri apo Blerim Xhemaili, por edhe nga ylli shqiptar i Maqedonisë, Enis Bardhi. Nuk mund të mungonin mesazhet nga lojtarët më të spikatur të Dardanëve, Valon Berisha, Rashica, Muriqi apo portieri Ujkani.
Përpos mesazheve nga bota e futbollit, në këtë moment të vështirë për të gjithë shqiptarët, solidarizim kanë shprehur edhe kampionët e atletikës, Izmir Smajlaj e Luiza Gega, medalistët më të spikatur kuqezi, peshëngritësit Erkand Qerimaj e Briken Calja apo edhe ylli i boksit, Haxhi ‘Robin’ Krasniqi.