Kryesore Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës

Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës

Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit shkatërrues që ka marrë deri më tani 29 jetë njerëzish.

“Do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme bazuar në Kushtetutë. Ashtu si Kushtetuta dhe legjislacioni shtjellojnë, duke nisur nga natyra dhe perimetri i situatës do të jetë gjendje e jashtëzakonshme për dy rajonet e prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë, Tiranën dhe Durrësin. Por, për ata që nuk e dinë, gjendja e jashtëzakonshme nuk është çështje financash, pasi në aspektin financiar nuk i kemi lënë gjë mangut askujt. Është një seri masash që ata që e predikojnë gjendjen e jashtëzakonshme nuk e dinë a janë të gatshëm t’i nënshtrohen. Gjendja e jashtëzakonshme përkon me krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës”, tha Rama.

“Për një periudhë 30-ditore ka disa detyrime për ata që e qeverisin gjendjen e jashtëzakonshme që mbase nuk u vijnë për shtat atyre që e kanë predikuar duke menduar se ka qenë një temë me të cilën mund të bënin politikë ndërkohë që Shqipëria ishte në lot”, shtoi kryeministri.