Kryesore “E tundojmë perëndinë duke bërë gam-gam”, Rama: Kush ka mbetur pa çati...

“E tundojmë perëndinë duke bërë gam-gam”, Rama: Kush ka mbetur pa çati nuk do lihet pas dore

Kryeministri i vendit Edi Rama, zëvendëskryeministri, Erion Braçe, por edhe Elvis Naçi ndodhen në këto momente në një nga zonat e prekura të tërmetit, konkretisht në zonën e Thumanës, ku kanë parë nga afër operacionin e kërkim-shpëtimit. Shefi i qeverisë theksoi se po punohet pa pushim për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë për banorët, të cilat kanë humbur  banesat nga tërmeti.

“Dje ka qenë dita e shokut, por edhe që duhet të nxirreshin nga thellësia e gërmadhave. Është bërë një punë kolosale e skuadrave tona. Në këtë jemi bashkë të gjithë. Do të krijojmë Komunitetin Kombëtar të Ndërtimit. Po fillon transportimi i disa familjeve nga fusha e Durrësit drejt hoteleve, sepse është bërë marrëveshja. Po bëhen një listë tjetër që çfarë ka ndodhur në zonën e Laçit, ku disa familje janë të rrezikuara nga lëkundjet e fundit. Po filloj shiu do të kemi një problem më shumë, një shqetësim më shumë. Po shfrytëzojmë çdo minutë që kemi. Shkop magjik nuk kemi, duhet të ndajmë të njomin nga i thati.

Kush ka mbetur pa çati, si rezultat i kësaj pabesie të natyrës nuk do mbetet pas dore. Të gjitha paratë e mbledhura, edhe ato të buxheti do të jenë bashkë dhe të gjithë do të marrin përgjegjësitë e menaxhimit. Njerëzit të mos e diskutojnë faktin se po e çoj lekun, por s’di se ku do shkojë. Po vijnë ndihmat nga katër anët. Ne do të japim një shembull e të mësojmë prej njëri-tjetrit. Me thënë të drejtën, e thashë edhe më parë: E tundojmë perëndinë duke bërë gam-gam, duke prodhuar energji negative kush më shumë e kush më pak. Më urtë më butë, më qetë. Ka një kohë për të luftuar, ka një kohë për të heshtur. Ka një kohë për të fjetur dhe ka një kohë për t’u zgjuar”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Elvis Naçi, i cili ka marrë përsipër ndërtimin e pallateve të prishura në Thumanë tha se nuk është koha për kritika dhe sulme politike, por për punë e solidaritet.

“Populli shqiptar ka kaluar në traumë. Të jemi më afër se kurrë me afër me njëri-tjetrin. Të jemi afër dhe të shtrijmë dorën e solidaritetit. Pastaj kemi kohë edhe ta shajmë dhe ta kritikojmë njëri tjetrin. Ne e kemi gjithmonë program të dhurojmë shtëpia. Jemi një situatë se sa më afër të jemi, aq me shpejt do ta kalojmë  këtë sprovë. Kjo ishte sprovë shumë e madhe”, tha Naçi.