Politika Ja ministri fuqiplotë që do drejtojë operacionin për tërmetin

Ja ministri fuqiplotë që do drejtojë operacionin për tërmetin

“Ngarkoj sot ministrin e Bujqësisë, si njeriu që do bëjë me fuqi të plota drejtimin e operacionit. Është një barrë plus për ministrin, ndaj i kërkoj një angazhim më të madh zv.ministrave përkatës të mbushin përkohësisht boshllëqet që do lërë ministri”, kështu tha kryeministri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë këtë mëngjes.

Por kjo nuk vlen vetëm për ministrin e Bujqësisë, Bledi Çuçi, pasi Rama iu ka ndarë detyrat disa prej ministrave të kabinetit të tij qeverisë, lidhur me situatën e jashtëzakonshme të shpallur në Tiranë, Durrës dhe Laç, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

“Sfida e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, është të mbajë ndezur të gjitha kanalet e komunikimit me botën jashtë, ndërsa ministri i Jashtëm, Genti, të mbajë ndezur kanalet e komunikimit me të gjithë shqiptarët. Edhe unë vetë kam kërkuar vëmendje për Shqipërinë nga jashtë, por kjo nuk bëhet me një letër.

Ministrja e Infrastrukturës, së bashku me zv.ministrin, dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë specifikisht detyrën që duhet të mbarojnë inventarin e apartamenteve të stokut në Durrës dhe Tiranë, pra që do të thotë apartamente bosh. Na duhet kjo urgjent. Jo thjesht një numër, por na duhet sipërmarrësi përkatës, situata e apartamenteve, apartamente që janë bosh fare apo që kanë orendi brenda.

Nuk është e mençur që ne të ndërtojmë pallatet në Thumanë ashtu sic ishin. Edhe me Elvis Naçin e diskutuam. Ata që punojnë në Tiranë, është më mirë t’i sjellim këtu, pse duhet të qëndrojnë sërish atje. Edhe banorët e tjerë mund të jenë shumë më mirë këtu. Ndërsa me banorët që janë të lidhur atje me tokë, gjënë e gjallë, do bëjmë të pamundurën t’i rregullojë atje.

Zv.ministres së Kulturës i kam kërkuar të përgatisë dosjen e parë të fotove dhe të fakteve nga terreni për të kërkuar mbështetje. Është bërë gati materiali, por duhet bërë një dosje shumë dinjitoze, që ta dorëzojmë te liderët, institucionet, donatorët, sipërmarrësit, që të informohen. Të gjithë që jeni ulur këtu në tavolinë jeni të detyruar të jenë në këmbë dhe në funksion të drejtuesit të operacionit. Mandati i Çuçit është fuqiplotë dhe për këtë temë ai është ministri fuqiplotë, të gjithë të tjerët janë në funksion. Çuçi është komisar fuqiplotë, duhet të ndiqen të gjitha ato që kërkohen, një për një.

Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më asnjë diskutim për të gjithë ata persona që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti, do jenë rregulluar më mirë seç ishin. Nesër do marrim vendimin e parë për të gjitha familjet që kanë humbur njerëz. Për ta nesër duhet këtu në tryezë një paketë speciale e drejtpërdrejtë”, tha kryeministri Edi Rama.