Rreth dy mijë shtetas të Shqipërisë janë strehuar në kampin e posaçëm të ngritur në Prizren. Në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren deri ditën e premte kanë qenë të akomoduar mbi 500 persona nga Shqipëria ndërkohë që shumë të tjerë janë sistemuar në sektorin privat.
“Tani për tani, në Prizren janë të sistemuar, të themi në sektorin publik dhe atë privat, rreth 2 mijë persona. Në qytetet tjera, është një shifër e shpërputhur, sepse lëvizjet janë jo rrallë herë kontradiktore njëra me tjetrën. Çfarëdo shifre që të japim nuk mund të jetë as për afër e saktë. Kjo për faktin se përveç mënyrave të organizuara, ka edhe mënyra, t’iu themi, kaotike ose sporadike, që vijnë, shkojnë ose lajmërohen, e pastaj japin një informatë tjetër” deklaron Nehat Koçinaj, zyrtar për marrëdhënie me publikun nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave për “Evropa e Lirë”.
Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe më herët kanë thënë se përmes pikave kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, deri tani nuk kanë ngritur ndonjë kontroll të veçantë evidentimi për të marrë informacione se ku shkojnë personat që hyjnë në Kosovë.