Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, inspektoi sot disa lagje brenda Tiranës në njësinë 6 në Kombinat, në njësinë 8 dhe në njësinë 4, ku ka dëme të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit.
Më e prekura nga zonat është Kombinati, ku banorët dëshmojnë se janë në mëshirë të fatit, deklaron PD. Po kështu, sipas PD-së, pasojat e rënda të tërmetit janë të dukshme në banesat e tyre, por banorët thonë se nuk kanë asnjë kujdes as nga bashkia, as nga qeveria.
“Kërkesa e të gjithëve është t’u shkojnë autoritetet për të vlerësuar nëse banesa është e jetueshme dhe e sigurt, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Edhe në ato pak banesa të verifikuara të pabanueshme, banorët thonë së nuk u është dhënë asnjë zgjidhje për strehim. Ata flenë në çadra plastmasi të sajuara ose të marra tek fondacionet e huaja të ndihmës. Situata më e rëndë është në objektet e ish fabrikës së qelqit të cilat rrezikojnë të shemben plotësisht. “Rrezikon të bjerë objekti. Ka krisje në kolona, por Njësia na ka thënë: nuk ju njohim fare”, ngrenë alarmin familjet në rrezik”, raportohet nga ana e PD-së.
Edhe në njësinë 8 në Tiranë, strukturat e PD-së, kanë verifikuar dëme të rënda në pallate e shtëpi private. Në rrugën Skender Sallaku, kryetari Basha pa një pallat 13 katësh me 50 familje, i cili kishte krisje të rënda në kolona.
“Na kanë rënë tullat e mureve dhe jemi rrezikuar. Njerëzit kanë dalë vet, ndërsa pallatit nuk i është vënë asnjë shirit”, – thotë një banore. Në Rrugën Riza Cerova, një pallat i ndërtuar 2 vitet e fundit është krisur rreth e rrotull, por askush nuk ka shkuar për të vlerësuar gjendjen. “Pallati është çarë në të gjitha anët. Askush nuk na thotë asgjë” – u shpreh i revoltuar një banor, ndërsa një tjetër shtoi -“Askush nuk na jep asnjë shpjegim. Nuk na thotë njeri rrihet apo jo në shtëpi”.
Basha u kërkoi banorëve të mos hyjnë në banesa të rrezikshme. Falë ndihmës së një biznesmeni të zonës, kreu i opozitës arriti të sistemojë në një hotel disa prej familjeve të rrezikuara, duke u siguruar strehim, ngrohje dhe ushqim.