Aktualitet Elvis Naçi shprehet prerazi: Ose do bëhet diçka si duhet, ose në...

Elvis Naçi shprehet prerazi: Ose do bëhet diçka si duhet, ose në tavolinat e tjera s’do jem

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Imami Elvis Naçi iu bashkua propozimit që çdo lëvizje nga fondet e mbledhura për njerëzit e prekur nga tërmeti do të bëhet transparente.

Naçi nuk ka qenë dakord me idenë e dhënë nga biznesmeni Artan Dulaku i cili tha se zgjidhja më e shpejtë do të ishte që këto familje të akomodohen në banesat të cilat ndërtuesit  i kanë dhe janë aktualisht bosh.

Dulaku tha se në Tiranë ekzistojnë rreth 2000 banesa të tilla ndërsa në Durrës rreth 2500.

“Shqipëria ka ardhur koha të krijojë disa standarde. Nuk jemi Zvicra dhe as Gjermania. Duam ti mësojmë atyre që edhe qindra mijëra miliona euro që thamë, do ti bëjmë transparente deri në një. Ai që do na japi shtëpinë do të na ulë çmimin. Zotit Rama po ia them këtu, o do të bëhet diçka siç duhet ose unë me Marinin në tavolinat e tjera nuk do të jemi këtu. Do të dalim veç me fondacione të vogla, por jo të bëhet si tek tezgat. Nëse do bëhet si tek tezgat, më mirë pak dhe faqebardhë”, tha Elvis Naçi.

Naçi është shprehur se deri më tani nga fondacioni i tij janë mbledhur 2 milion euro dhe priten rreth 3-4 milion.

Ai tha se shumë shpejt do të bënte transparencë të plotë sa u përket të ardhurave. Prej kohësh cilësohet si politikan i ardhshëm duke qenë se ka shumë impakt në shoqëri.

Naçi i ka dhënë edhe një herë tjetër përgjigje kësaj, duke u shprehur se kurrë nuk do të merrej me politike.

“Nuk merrem me politikë, pavarësisht se më kanë akuzuar. Jemi të barabartë. Këtu jemi të gjithë të barabartë në fusha të ndryshme, të gjithë kemi kontribuar. Barazia në këtë tryezë, hapi i parë për të ngrohur ata që janë të varfër.

Ne në këtë tryezë do të bëjmë transparencën edhe të fondeve të njëri-tjetrit, Unë nuk kam asnjë post dhe nuk do të merrem asnjëherë me politikë”, tha Naçi.