Pas tërmetit të 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona dhe mbetën të lënduar edhe shumë të tjerë, “Kënga Magjike” vjen me misionin “Këndojmë për të ndërtuar”.
Ardit Gjebrea dhe gjithë artistët pjesëmarrës në ‘Kënga Magjike 2019’ vendosën që të ardhurat e koncertit të këtij viti, të shkojnë për ndërtimin e shtëpisë së familjes Caci në Thumanë.
Ardit Gjebrea gjatë programit “E diela Shqiptare” bëri të ditur se kësaj nisme i është bashkuar edhe këngëtarja Anna Oxa, e cila e ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen në festival përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook.
“Anna Oxa, pasi mori vesh tragjedinë e ndodhur më 26 Nëntor, më telefonoi dhe më pyeti se ç’do të bëhej me Këngën Magjike. Ajo u emocionua nga misioni dhe pa u menduar, më tha se të mërkurën (4 Dhjetor) do të jetë këtu, tek Kënga Magjike. Më tha se do të blej një biletë dhe do të ulem tek publiku duke shtuar se ne artistët, për këtë jemi”.
Pak minuta më vonë përmes një postimi në rrjetin social Instagram, Ardit Gjebrea e falenderon edhe njëherë këngëtaren që u bashkua me kauzën e artistëve shqiptarë.