Leo Messi tha se fitimi i Topit të Artë për herë të gjashtë ishte edhe më i veçantë për shkak të moshës dhe faktit se nuk i kanë mbetur edhe shumë vite për të luajtur futboll. “Falë Zotit kam pasur mundësinë që të bëja në jetë atë që doja, që kur isha një ose dy vjeç dhe dashtë Zoti më kanë mbetur edhe disa vite për të vazhduar ta shijoj futbollin”, tha ai.
“Jam i vetëdijshëm që me moshën që kam, këto çaste shijohen edhe më shumë, sepse po afrohet momenti i tërheqjes dhe është e vështirë. E përsëris, edhe pse kanë mbetur edhe disa vite, në këto çaste duket se koha fluturon dhe gjithçka ecën shumë shpejt. Shpresoj të vazhdoj të shijoj futbollin, familjen, rivalitetin dhe këtë jetë që kam”, shtoi 32-vjeçari, ndoshta duke i dërguar një “mesazh” njeriut me të cilin ka rivalizuar për më shumë se një dekadë, Cristiano Ronaldo-n, i cili e ka fituar 5 herë Topin e Artë.
Argjentinasi kujtoi edhe herën e parë që u ngjit në podium për të tërhequr Topin e Artë, në vitin 2009. “E mbaj mend se për herën e parë që fitova Topin e Artë erdha në Paris kur isha 22 vjeç, bashkë me tre vëllezërit e mi. Ishte diçka e pabesueshme, ndërsa sot, 10 vite më pas, jam në një moment të ndryshëm, shumë të veçantë të jetës sime personale. I martuar dhe me tre fëmijë që më kanë shoqëruar bashkë me vëllain dhe nipin tim. Siç thoshte edhe gruaja ime, gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam reshtur së ëndërruari, së besuari, duke u përmirësuar çdo ditë e mbi të gjitha duke shijuar futbollin”, tha Messi.