Sport Van Dijk triumfoi në Europë dhe Azi, pjesa tjetër e botës votoi...

Van Dijk triumfoi në Europë dhe Azi, pjesa tjetër e botës votoi Messin. Si votuan shqiptarët

“France Football” ka nxjerrë në dritë votat e gazetarëve të secilit vend, që vendosën se cili lojtar duhet ta fitojë “Topin e Artë” të vitit 2019. Secili kishte pesë vota në dispozicion.

Leo Messi iu imponua Van Dijk në total, por si votoi secili vend apo kontinent?

Në Gjermani votuan të parin yllin e Bundesliga, Robert Lewandowski. Edhe në Angli preferuan si më të mirin Raheem Sterling, edhe pse në renditjen përfundimtare ai zuri vendin e katërt. Argjentina, siç pritej, votoi për Messin, megjithëse e zgjodhën Cristiano Ronaldon në vendin e dytë. Belgjika zgjodhi Eden Hazard, ndërsa në Brazil preferuan si më të mirin Alisson.

Në Spanjë, vendi i parë shkoi për Van Dijk, i ndjekur nga Cristiano Ronaldo, Messi, Mané dhe Mbappé. Në Hollandë mbështetën yllin e tyre, Van Dijk, i ndjekur nga Messi. Në Itali vendosën De Jong përpara Cristiano Ronaldos. Në Portugali, votimi i parë ishte për CR7, ndërsa i pesti për bashkatdhetarin tjetër, Bernardo Silva.

Van Dijk triumfoi në Europë dhe Azi

Nga kontinentet, Van Dijk ishte ai që fitoi më shumë pikë në Europë (321) dhe Azi (155). Pjesa tjetër e kontinenteve preferuan më shumë Messin, me 47 pikë në Amerikën e Jugut, 187 pikë në Afrikë, 102 pikë në Amerikën e Veriut dhe Amerikën Qendrore, si dhe 22 pikë në Oqeani.

Si votuan shqiptarët

Për Shqipërinë ka votuar Besnik Dizdari, i cili ka përzgjedhur CR7 si të parin, Virgil Van Dijk të dytin dhe fituesin, Lionel Messi, të tretin. Dy të votuarit e tjerë në pesëshen e Dizdarit janë dy kampionë Europe me Liverpool: Alisson dhe Mohamed Salah. Nga Kosova, të drejtë vote për këtë çmim ka pasur Bajram Shala i RTV 21. Për të, më i miri është Lionel Messi. Të dytin ka zgjedhur Cristiano Ronaldon, ndërsa podiumin e kompleton me Mohamed Salah. Më tej, të katërtin ka votuar Bernardo Silva (Manchester City) dhe të pestin Firmino (Liverpool).