Kryeministri Edi Rama gjatë seancës parlamentare ditën e sotme ka folur për situatën tragjike që la tërmeti i 26 nëntorit. Rama duke sjellë shembullin e SHBA, paralajmëroi ndryshime ligjore që në rastet e fatkeqësive natyrore siç tha ai të mos ketë “sharlatanë që bëjnë sizmologun e prokurorin”.
“Dëgjova që flitej për Japoni e OECD e për…në fakt meqë jemi në një situatë të jashtëzakonshëm dua të ndaj me ju nevojën që në kuadrin e adresimit të problemeve të konstatuara, të marrim edhe shembullin e Japonisë, Amerikës, Izraelit që kur ndodhin fatkeqësi të këtyre përmasave jua mbyllin gojën të gjithë atyre që s’kanë ç’a thonë, jua mbyllin me ligj e nuk u jepet mundësia lloj-lloj të çorodisin e dëshpërojnë miletin.
Besoj se kjo do jetë, një nga gjërat që do adresojmë në reformën e përgjithshme ligjore në rastet e fatkeqësive të mëdha natyrore se nuk është e mundur që përveç halleve të mëdha populli të ketë edhe këtë hall të madh që me ditë e me netë bombardohet nga sharlatanë që shfaqen si sizmologë, inxhinierë, konstruktorë e prokurorë.
Dëgjova këtu që Ralfi kërkonte matrapik dhe ishte shumë i shqetësuar që në vrapin e tij për ti ardhur në ndihmë njerëzve s’kishte parë matrapik, nuk përdoret Ralf në rrënojat ku ka ende jetë.
Dëgjova zonjën tjetër që fliste për buxhetin e se kishte lexuar fare e fliste për makina luksi ndërkohë që në këtë buxhet janë hequr të gjitha shpenzimet për makina e vitrina e çdo nevojë tjetër të kësaj natyre, s’ka as mobilime asgjë, të gjitha fondet i kalojnë fondit të ndërtimit. E mirëkuptoj që tërmeti ka bërë të vetën edhe mbi ju dhe mbi familjet tuaja”, tha Rama.