Është mbledhur për herë të dytë Komiteti Kombëtar i Rindërtimit pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit.
Kryeministri Rama e nisi këtë mbledhje duke thënë se aktualisht janë vlerësuar 261 pallate si të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshëm. Kryeministri tha gjithashtu se banesa të pabanueshme janë konstatuar 2030. Pallate me dëme të konsiderueshme dhe të mesme janë 851 apartamente.
Kryeministri theksoi se te pallatet e dëmtuara rëndë po bëhen një punë specifike për të përcaktuar shkallën e rrezikut dhe sipas specialistëve të huaj, një pjesë e këtyre pallateve janë me struktura të padëmtuara, por të rikuperueshme. Në qytetin e Durrësit do të shemben 438 objekte.
Kryeministri bëri të ditur se aktualisht janë në terren 500 inxhinierë. Po ashtu janë edhe 81 ekspertë nga 11 vende të huaja.
Kryeministri Rama u shpreh se qeveria ka përllogaritur një shumë prej 20 miliardë lekësh për dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Ne kemi konsideruar 20 miliardë, me të ardhura buxhetore dhe donacionet. Por pritshmëritë për donacione janë të konsiderushme dhe mendoj se do të shtohen pasi kanë nisur diskutimet në nivel bilateral dhe me vende të tjera.
Fondi do të jetë dinamik dhe do të shtohet edhe me alokime nga buxheti në vijim. Do të ketë një program te veçantë buxhetor”, tha Kryeministri.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se në datë 16 dhjetor do të kemi raportin e parë për dëmet, që do të jetë paraprak, pasi finali pritet që të dalë në fund të janarit të 2020 për të shkuar në konferencën e donatorëve. “Nuk ka ende nuk raport paraprak të dëmeve përfundimtare. Një grup me ne Bankën Botërore dhe OKB është duke punuar, në 16 dhjetor synohet të dalë raporti i parë paraprak. Do të ketë një raport paraprak, një të dytë dhe një final në fund të muajit janar për t’i hapur rrugë konferencës së donatorëve“, tha Rama.