Uncategorized Rrëfimi i Aleksit: Kur i tregova familjes që jam gej, mami nuk...

Rrëfimi i Aleksit: Kur i tregova familjes që jam gej, mami nuk më braktisi, babai po!

“Nuk është që një person nga radhët e komunitetit LGBTI zgjohet një mëngjes dhe thotë ‘unë dua të jem gej, lezbike, biseksual, transgjinor ose çfarëdo, por lind si i tillë”,- e nis rrëfimin Aleksi. Është 24 vjeç dhe prej 5 vitesh ka pranuar përpara familjes dhe shoqërisë orientimin e tij seksual.  Ka lindur dhe është rritur në Durrës.

Ndërsa rritej, ndjetë sikur gjithë vështrimet që hidhesh rreth tij i peshonin mbi supe.

“Gjata adoleshencës, sa më shumë kalonin ditët, kuptoja që isha ndryshe që…më pëlqenin meshkujt. Doja të qëndroja me ta. Nuk kisha asnjë tërheqje nga femrat edhe pse kisha shumë shoqe. Këtë dëshirë timen nuk e shfaqja dot. Kisha edhe dy vëllezër më të mëdhenj që nuk do të më pranonin kurrë kështu siç isha”- tregon Aleksi dhe emocionohet për situatën e vështirë që ka kaluar.

Vitet e gjimnazit për të kanë shumë të vështira. Kishte shumë dëshira, donte të tregonte veten, donte t’i thoshte të gjithë botës që ai ishte ndryshe, por e kishte vështirë të gjente guximin dhe të pranonte se shumë nga njerëzit që e rrethonin do i largoheshin.

Aleksi ka qenë një nxënës shumë i mirë. I shkëlqyer. Me nënta dhe dhjeta.

“Të mësuarit ishte e vetmja terapi e imja në atë periudhë”- tregon ai.

“Mua më dukej sikur njerëzit e kuptonin, por askush nuk ma thoshte në sy. Edhe mësuesit në shkollë, herë pas herë i tërhiqnin vëmendjen shokëve të mi, kur ata më ironizonin. Por nuk zgjati shumë. Nga fundi i vitit të tretë, unë e pranova që isha gej”.

Nuk ka qenë i lehtë momenti kur për herë të parë këtë gjë ia ka pohuar së ëmës, së cilës sa nuk i ka rënë të fikët.    “Çfarë do i them botës- thoshte”. Si do i dal përpara njerëzve”. Ky ishte shqetësimi i saj i parë.

“Më pas u ulëm dhe folëm gjatë. I tregova që unë nuk mund të shtiresha. Kjo gjë më kishte dëmtuar shumë. Unë kështu isha dhe nuk do të ndryshoja, çfarë do që të mendonte bota për mua dhe familjen time”.

Nënat janë gjithmonë më fëmijën, sido që të jetë ai.

“Por nënat janë më të buta. Ato të pranojnë sido që të jesh. Më mamin komunikoi çdo ditë.  Vështirësia më e madhe ishte dhe është babai. Ai sot e kësaj dite nuk më ka pranuar. As vëllezërit e mi. Unë e ndjej që ata më duan, por i frikësohen… botës! Pavarësisht se jam munduar të flas me ta, por më kot.

Sot nuk jetoj më me ta. Bashkëjetoi më një mikun tim dhe punoj si menaxher në një hotel të rëndësishëm në Durrës.

Dëshira ime është që të jetoj edhe të punoi jashtë një ditë.  Po përpiqem që të lidh ndonjë kontratë pune me kroçerat. Nëse iki jashtë, që e besoj që do iki, do të jem më i lirë të jetoj jetën time dhe do pres, familjen të më afrohen dhe të më pranoi e gjitha”.

Aleksi, ishte një djalë i qetë, pa mllefe për atë çka mendojnë të tjerët për orientimin e tij seksual. Ai na pranoi që nuk e imagjinon asnjëherë veten përkrah një femre, kështu që nuk do e provoj asnjëherë të këtë një fëmijë. As nuk dëshiron të adoptoj.

*Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në bashkëpunim me PNUD në Shqipëri, po zbatojnë projektin “Të Lirë dhe Të Barabartë” nëpërmjet të cilit synohet rritja e ndërgjegjësimit kundrejt dhunës homofobike, transfobike dhe diskriminimit.