Sport Sarri “përmbys” Juventusin, Buffon kthehet në Champions pas 243 ditësh

Sarri “përmbys” Juventusin, Buffon kthehet në Champions pas 243 ditësh

Të mërkurën, Juventusi do të përballet me Bayer Leverkusen në ndeshjen e gjashtë e të fundit të fazës së grupeve të Champions-it. Një sfidë pa vlera renditjeje për “Zonjën e Vjetër”, e cila tashmë është e sigurt për kualifikimin dhe vendin e parë. Sidoqoftë, do të jetë rasti që Maurizio Sarri të bëjë rotacion në formacion dhe të lërë pushim disa lojtarë, që kanë qenë të detyruar të punojnë edhe “jashtë orarit” javët e fundit. Për shembull, për herë të parë këtë sezon, pas 26 paraqitjeve radhazi mes Juventusit dhe kombëtares italiane, Leonardo Bonucci do të pushojë.

Qendra e mbrojtjes do të përbëhet nga “violinat e dyta”, Rugani dhe Demiral, të cilët do të duhet të shfrytëzojnë rastin. Szczesny ia hap krahun Gigi Buffon në portë, me veteranin bardhezi mes shtyllave për herë të parë në Ligën e Kampionëve, këtë edicion. Pikërisht, Buffon nuk luan në një ndeshje të Champions-it me Juventusin që nga 11 prilli 2018, ose nga ajo natë në Madrid, në të cilën penalltia e diskutueshme e Cristiano Ronaldos eliminoi “Zonjën e Vjetër”. Asokohe pati shumë polemika dhe deklarata të furishme nga vetë portieri italian.

243 ditë më vonë, edhe nëse është në një sfidë pa vlera renditjeje, Buffon kthehet të luajë në Europë me Juven. Në mesfushë, me siguri do të “gradohet” Cuadrado, siç deklaroi vetë Sarri pas humbjes kundër Lazio. Së bashku me të, Rabiot dhe Pjanic duhet të kompletojnë repartin. Nuk është çudi, në fakt, që edhe boshnjaku të pushojë. Sulmi duket pa shumë dilema, me Bernardeschi pas Ronaldos dhe Higuain. Ky është formacioni i mundshëm anti-Leverkusen i Juventusit: (4-3-1-2): Buffon; Danilo, Demiral, Rugani, De Sciglio; Cuadrado, Pjanic, Rabiot; Bernardeschi; Higuain, C.Ronaldo.