Benedikt Howedes, mbrojtës i Lokomotiv Moscow aktualisht, rrëfeu karrierën e tij për “Spox” dhe “Goal”. Ai u ndal që nga fillimet, kur hodhi hapat e parë në këtë sport, deri në ngjarjet më të fundit, si përvoja me fanellën e Juventusit. Kampioni botëror me Gjermaninë, gjithashtu, tregoi disa detaje deri më tani të panjohura.
Njëri ndër ta është vërtet pikant, që lidhet me “Zonjën e Vjetër”, me premion e saj të veçantë për fitimin e titullit, një vit para se ai zbarkoi në Torino: “Për titullin para shkuarjes sime te Juventusi, secilit lojtar iu dha një “Ferrari” si falënderim për kampionatin e fituar. Si alternativë, nëse nuk do të dëshironit një makinë të tillë, mund të zgjidhnit bonusin me para të gatshme. Kjo tregon se në cilat nivele punohet atje. Sidoqoftë, brenda dhomës së zhveshjes, askush nuk është mburrur dhe askush nuk ka treguar ndonjëherë pakënaqësi”.
Dhe duke folur për skuadrën bardhezi dhe klimën në dhomën e zhveshjes atje, gjermani tregoi mikpritjen e të gjithëve për të: “E mbaj mend emocionin e herës së parë, kur hyra në dhomën e zhveshjes së Juventusit. Aty kishte legjenda absolute si Buffon dhe Chiellini, që erdhën për të më përshëndetur me ngrohtësi. Pati puthje e përqafime. Ata ishin të lumtur që isha atje. Juventus është një familje e madhe dhe unë mikprita plotësisht, u respektova si duhet. Nuk luajta shumë, por kurrë nuk më nënvlerësuan si person dhe si lojtar”.
Gjermani ka vlerësim ekstra për dy ikona bardhezi, Buffon dhe Chiellini: “Ata kanë fituar shumë tituj, por ata janë akoma të uritur. Ata gjithmonë duan të fitojnë dhe kjo më bëri përshtypje. Ende e mbaj mend një fjalim të Buffon para një ndeshje. Ishte fjalim emocionues, gati poetik dhe ai e dinte që do të ishte në stol atë ditë. Te Juventusi, edhe ata që nuk luajnë, jetojnë me shpirtin e ekipit. Egoja nuk vlen atje, vetëm fryma e grupit. Kjo është diçka e shkëlqyeshme dhe e veçantë”.