Përveç mbështetjes financiare me dy milionë dollarë për SPAK, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë këtë strukturë edhe me prokurorë dhe hetues federalë amerikanë që do të këshillojnë prokurorët shqiptarë të SPAK për dosjet që hetojnë.
“Këtë vit po punojmë nëpërmjet programit të partneritetit Shqipëri-Nju Xhersi për të identifikuar 35 prokurorë dhe hetues nga Nju Xhersi dhe federalë për t’u trajnuar mbi legjislacionin e ri penal shqiptar. Nga fillimi i vitit 2020 prokurorët amerikanë do të ofrojnë trajnim mbi SPAK mbi çështje të tilla si lufta ndaj korrupsionit, pastrimit të parave, trafikimit të njerëzve, për t’u siguruar që prokurorët e SPAK kanë mjetet për të vënë në shënjestër krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë”, thotë Ambasada Amerikane përmes një video-mesazhi të shpërndarë këtë të enjte.
Ambasada Amerikane në Tiranë thotë se Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën dhe SPAK-u është mjeti që sipas SHBA, do të realizojë këtë përkushtim dhe paralajmërohet se as dosjet e bujshme korruptive të së shkuarës nuk do të kenë imunitet.
“Me t’u ngritur do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit të lartë. Mbështetja prej 2 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara po përdoret për të siguruar që SPAK do të ngrihet dhe do të funksionojë në mënyrë të pavarur. Ditëve të shkuara të zyrtarëve të korruptuar dhe bosëve të krimit që ishin të paprekshëm po iu vjen fundi. Ditët e shkuara të drejtësisë selektive do të zëvendësohen nga drejtësia për të gjithë”, thotë përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.
Veç kësaj, ekspertët amerikanë janë të angazhuar edhe në hartimin e rregulloreve të brendshme të funksionimit të SPAK.
“Këto rregulla do të ndërtojnë një proces të bazuar në meritë dhe që garanton promovime që janë të lira nga ndërhyrjet politike, apo ndërhyrje të tjera të papërshtatshme, ofrojnë mbikëqyrje për raste hetimore. Këshilltarët ligjorë të Ambasadës së SHBA po këshillojnë prokurorët shqiptarë që punojnë mbi çështje penale ekzistuese, trajnojnë prokurorët e ardhshëm të SPAK-ut. Po sigurohemi përkrah partnerëve të tjerë po punojmë për t’u siguruar që çështjet e duhura do të transferohen në SPAK”, thotë SHBA.