Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka propozuar pesë pika për rimbëkëmbjen e bizneseve që janë goditur nga tërmeti i 26 Nëntorit. Në një takim me këto biznese në Durrës, Basha thotë se qeveria duhet t’u ofrojë lehtësi fiskale.
“Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete. Prandaj kemi propozuar ato 5 masa:
1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.
2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,
3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.
5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve”.
Sipas Lulzim Bashës, këto 5 propozime do t’i japin frymëmarrje këtyre bizneseve të prekura nga tërmeti. Kryedemokrati tha se në rast se nuk ndihmohet biznesi, atëherë pasojat e krizës do t’i vuajnë të gjithë.
“Kur themi biznes krijojmë keqkuptime, biznes do të thotë punësim, është një zinxhir i tërë që është pas punës tënde; do të thotë fuqi blerëse, do të thotë punësim, do të thotë edhe buxhet. Në qoftë se nuk arrin dot të mbështesësh biznesin do të dëmtosh të gjithë, do të dëmtosh të punësuarit, do të dëmtosh buxhetin e shtetit, do të dëmtosh edhe mundësinë e shtetit për të ardhur në ndihmë”, deklaroi kreu i opozitës.
Paketa me 5 pika u propozua nga kryetari i Partisë Demokratike pasi inspektoi bizneset e Durrësit, Krujës dhe qarkut të Lezhës, të cilët kanë pësuar dëme të mëdha materiale dhe për shkak të ndërprerjes së punës dhe largimit të forcës punëtore.