Tottenhami vazhdon të rikuperojë pozicione në renditjen e Premier Leagues me Jose Mourinhon në stol. Skuadra Londineze fitoi 1-2 në fushën e Wolves, duke regjistruar suksesin e katërt në pesë ndeshje me portugezin në krye.
Në fakt, tri pikët e radhës erdhën “in-extremis”, falë golit të Jan Vertonghen në shtesë, teksa më parë kishin tundur rrjetën Lucas Moura për “Spurs”-at në minutën e 9-të dhe Traore (Wolves) në të 67-ën.
Tottenhami pas 17 javëve të para ngjitet në vendin e pestë (26 pikë), vetëm tri pikë larg zonën Champions.
Nuk arrin të bëjë tri fitore radhazi Manchester United, që përballë Evertonit, në “Old Trafford”, u ndal në barazim 1-1. Autogoli i Lindelof në minutën e 36-të shtroi presionin te “Djajtë e Kuq”, që pas shumë përpjekjesh arritën të barazonin me talentin Greenwood 13 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Vendësit bënë gjithçka për të marrë një fitore me përmbysje, por rezultati nuk ndryshoi më.
United i Solskjaer, pas këtij barazimi, rrëshqet në vendin e gjashtë me një pikë më pak se Tottenhami.