Përkundër thirrjes së Prishtinës zyrtare, samiti për Mini Shengenin Ballkanik do të mbahet në Tiranë.
Liderët e tre vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të mblidhen të premten në kryeqytetin shqiptar, ku do të marrin pjesë në koncertin që do të zhvillohet te Parku Olimpik, ku do të mblidhen fonde për të prekurit nga tërmeti.
Të shtunën ata do të zhvendosen për të vizituar zonat e prekura në Durrës ndërsa me pas do të rikthehen në Tiranë për zhvillimin e konferencës.
Presidenca serbe ka njoftuar se Vuçiç do të qëndrojë në Shqipëri në 20-21 dhjetor.
Sipas njoftimit, Vuçiç do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë.
Kjo është hera e dytë brenda një viti që Vuçiç vjen në Tiranë, pas pjesëmarrjes në samitin e Brdo-Brijunit, më 27 prill, e organizuar nga presidenti Ilir Meta.