Kur një grup prej 13 nxënësish dhe mësuesit e tyre hipën në një varkë për një ekskursion, as që u shkonte ndërmend për horrorin që i priste.
Varka e tyre u përmbys në ujërat e ftohta të Praesto Fjord të Danimarkës, qindra metra larg bregut. Disa ia dolën që të notonin e të dilnin jashtë, por 7 prej tyre nuk ia arritën dhe pësuan vdekje klinike në ujë, pasi u prekën nga hipotermia ekstreme.
Por si për mrekulli, të gjithë adoleshentët arritën që të riktheheshin në jetë dhe mbijetuan, pa dëmtime në tru.
Historia e tyre ka mrekulluar mjekët, ndërsa ky besohet se është grupi më i madh i njerëzve të prekur nga hipotermia që arriti të mbijetonte.
Katrine ishte një prej nxënëseve që ndodhej në varkë atë ditë. Në një rrëfim për BBC, ajo shprehet: “Ishte kaq ftohtë, sa në ujë mund të shije copëza akulli. Përfundova poshtë varkës dhe kur dola mbi ujë, nisi makthi. Të gjithë po bërtisnin dhe e gjithë skena ishte e pabesueshme. Mund të shihje vetëm panik. Mësuesi na tha që duhet të notonim, në të kundërt do të vdisnim”.
Katrine arriti të notonte deri në breg, ndonëse pësoi hipotermi ekstreme. Kur arriti në breg e gjeti veten të humbur në pyll.
“Ishte shumë e vështirë sepse nuk kisha fuqi nga këmbët. Vetëm rrëzohesha. Në atë moment mendova ok, tani do të vdes. Më pas pashë një burrë. Faleminderit Zotit. Kur e pashë nisa të bërtisja mesa kisha fuqi”.
Por shoku i saj i klasës Casper nuk arriti të notonte deri në breg dhe zemra e tij pushoi teksa ndodhej në ujë.
Ai tregon: “Ishte mot i vështirë, frynte shumë erë. Varka u kthyer përmbys në mes të detit dhe të gjithë ranë në ujë. Nuk mund të notoja. Një prej shokëve të mi erdhi dhe u përpoq të më ndihmonte, por pas pak çastesh isha klinikisht i vdekur për shkak të temperaturës së ujit”.
Pas 2 orësh në ujë, ata u shpëtuan nga ekipet e emergjencës. Dr Steen Barnung ishte pjesë e ekipit të ambulancës ajrore që shkoi në vendngjarje.
“Një person erdhi me vrap drejt nesh duke përsëritur të njëjta fjalë: Kanë vdekur të gjithë. Kanë vdekur të gjithë. Kanë vdekur të gjithë. Përveçse u pushoi zemrën, hipotermia ngadalësoi metabolizmin e tyre, që do të thotë se organet e tyre kishin një shans për t’u ristartuar një moment që ngroheshin”.
Ndërsa Dr Michael Jaeger Wansche, i cili ishte pjesë e grupit që u përpoq me dëshpërim për t’i shpëtuar jetën tha: “Kishin ftohtë. Ishin akull. Ishin adoleshentë klinikisht të vdekur. Kur je aq i ftohtë sa ata, ne e dimë që mund t’i risjellim në jetë. Ata ishin të vdekur, por nuk kishin vdekur vërtetë. Ne kishim ende një shans.”
Kur mbërritën në spital, mjekët nisën të ngrohnin gjakun e adoleshentëve nga 1 gradë, çdo 10 minuta. 6 orë më vonë, ata dëgjuan një rrahje zemre.
Por puna e tyre nuk kishte përfunduar. Vëmendja e mjekëve u kthye tek truri i adoleshentëve, pasi 2 milion qeliza vdesin çdo minutë që kanë mungesë oksigjeni.
Adoleshentët ishin të gjithë në koma, ndaj atyre iu desh të prisnin disa ditë për të mësuar dëmin që mund të kishin pësuar. Si për mrekulli, asnjë prej tyre nuk pësoi asnjë dëmtim.
*Ngjarja në fjalë ndodhi më 11 Shkurt të 2011-s, në veri të Praestos. Rrëfimet për këtë ngjarje u përcollën në një dokumentar të BBC.