Kryeministri në ikje i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se vendi i tij nuk kishte marrë ftesë për të qenë i pranishëm në Samitin e Mini Shengenit Ballkanik që do të zhvillohet të shtunën në Tiranë.
“Kosova nuk është e ftuar, me aq sa di unë. Por përsëri unë nuk do të merrja pjesë. Nuk e di që të kemi marrë ftesë. Unë në Shqipëri kam qejf të shkoj çdo ditë…”, tha ai në një konferencë për mediat këtë të martë.
Në lidhje me këtë deklaratë ka ardhur edhe një reagim nga zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë, ku thuhet se ftesa i ka shkuar Presidentit Thaçi.
“Nisur nga një deklaratë e bërë nga Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, sqarojmë se duke pasur parasysh formatin e takimeve rajonale, si edhe faktin që në Kosovë ende nuk është formuar qeveria e re, Kosova është ftuar në nivelin më të lartë, njësoj si në takimin e Ohrit, përmes ftesës drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.