RTV Ora ka mundur të sigurojë detajet e operacionit të ezekutuar sot i cili çoi në shkatërrimin e një organizate trafikantësh droge italo-shqiptarë.
Operacioni i koduar “Taxi drive” çoi në ekzekutimin e 12 urdhër arrestimeve, 9 shqiptarë e 3 shtetas italianë të akuzuar për tafik kokaine, heroine, marijuane e hashashi nga Shqipëria e Holanda në Itali.
Vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet të jetë rreth 16 milionë e 230 mijë euro.
Hetimet nisën pas një kontrolli në një banesë ku u sekuestruan një arsenal armësh zjarri e një sirenë blu policie.
Hetimet pas këtij sekuestrimi zbardhën lidhjet mes krimit të organizuar vendas e grupeve të trafikantëve shqiptarë.
Gjatë operacionit janë kryer 163 përgjime telefonike, ambientale e chat online.
Mjaft prej tyre ishin kriptuar enkas nga anëtarët e kësaj organizate, të cilët përdornin pseudonime të cilat i ndryshonin shpesh.
E për të evituar lokalizimin e vendndodhjes së tyre nuk përdornin kurrë biseda vokale.
Hetimet e këtij operacioni u kryen në bashkëpunim me repartin e Guardia di Finanza në Durrës me shkëmbimin e informacionit e në vëzhgimin e ujërave territoriale.
Hetimet kanë identifikuara mjètet lundruese të përdorura nga ky grupim kriminal për trafikun e drogës e mbërritjen e tyre në territorin italian.
Rruga e trafikut të marijuanës nisej nga territori i qarkut të Vlorës në drejtim të Italisë në territorin e Termoslit, Trani e Otranto. Më pas marijuana transportohej për t’u trafikuar në Bergamo, Puglia e Romë.
Rruga e trafikimit të heroinës e armëve nisej nga Shqipëria e magazinohej në Trani e në komunën e Margherita di Savoia për tu shpërndarë më pas në Kalabri, në provincën e Tarantos e në provincën e Brindizit.
Ndërsa kokaina trafikohej nga Roterdami e mbërrinte më pas në Milano e Rimini ku ishte dhe qendra e magazinimit.
Kokaina më pas trafikohej në Salento, Brindizi, Taranto.
Autoritetet italiane informojnë se kjo organizatë kishte një nivel të lartë strukturor e ndarë në 3 grupe që bashkëpunonin me njëri-tjetrin.
RTV Ora ka mundur të zbardhë skemën organizative të kësaj organizate e cila drejtohej nga dy bosët shqiptarë me pseudonimin, Bake e ESP Beni.
Poshtë tyre drejtonin 7 kapo mes të cilëve shqiptarët në pseudonimet Mustafa, London, Rolex, Van Basten, Messi etj.
Në një nivel më të ulët kjo organizatë ndahej në 3 grupe. Krerët e anëtarët e këtyre grupeve përdornin të gjithë pseudonime e për momentin autoritetet italiane nuk kanë zbardhur identitetin e tyre të vërtetë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 4800 kg marijuanë, 15 kg heroinë, 2.35 kg kokainë, 938 gramë hashash, 2 pistoleta, 2 gomone, 4 motorrë të fuqishëm për mjete lundruese, 3 automjete, radio transmetuese satelitore, një sirenë policie, navigatorë satelitorë lundrues, e aparate telefonikë.
Gjatë operacionit janë vënë nën hetim dhe 38 persona të tjerë./ RTV Ora