Kompania Boeing konfirmoi se do të pezullojë prodhimin e avionit 737 Max muajin tjetër pasi rregullatorët sqaruan se nuk do të miratojnë kthimin e avionit në shërbim deri në fund të vitit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo njofton për ndikimin e mundshëm të këtij vendimi.
Vendimi për të pezulluar prodhimin e avionit më të shitur 737 Max erdhi disa ditë pasi kreu i Administratës Federale të Aviacionit nuk pranoi rikthimin e avionëve në fluturim deri ndoshta vitin e ardhshëm. Ky lajm ngjalli shqetësime për disa punonjës në prag të festave.
Tani për tani, kompania thotë se nuk do të ketë pushime nga puna për 12,000 punonjësit e saj gjatë pezullimit të prodhimit.
Ndërkohë, pezullimi i prodhimit të një avioni do të ketë një ndikim të madh në nivele të shumta, thonë analistët.
“Pezullimi i prodhimit të një avioni, dhe ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo, do të krijojë një farë kaosi për linjat ajrore që janë të përfshira, si dhe për 600 kompanitë që janë pjesë e zinxhirit të furnizimit për prodhimin e këtij lloj avioni si dhe për vetë Boeingun. Do të ketë ndikim thelbësor në ekonominë amerikane, dhe mendoj se do të ndikojë edhe në deficitin tonë tregtar”, thotë Henry Harteveldt, president i Grupit Kërkimor Atmosfera.
Zyrtarët e firmës Boeing thonë se ata vendosën të ndalin prodhimin pjesërisht për shkak se Administrata Federale e Aviocionit nuk pranoi të certifikojë avionin të paktën deri në vitin 2020.
Fluturimi i avionit Max 737 ishte pezulluar që nga marsi pas dy aksidenteve fatale – një në Indonezi dhe një tjetër në Etiopi – që vranë gati 350 njerëz.
“Boeing bëri shumë gabime duke filluar me konstruksionin e avionit. Kishte disa sinjale të hershme se duheshin bërë korrigjime dhe këto u anashkaluan”.
Eksperti i Aviacionit Joe Schweiderman thotë se për Boeingun kjo do të jetë një pengesë e vështirë të kalohet.
“737 Max është avioni i tyre kryesor – shumë punonjës janë të trajnuar të bëjnë këtë model dhe t’i bësh të mësojnë një gjë tjetër ndërsa kompania pret të fillojë prodhimin do të jetë e vështirë“.
Drejtori ekzekutiv Dennis Muilenberg u hoq nga kryesia e kompanisë për shkak të vendimeve të diskutueshme që kishte ndërmarrë përpara dy rrëzimeve. Ai gjithashtu dëshmoi para Kongresit për të dy incidentet.
“Dua të përcjell angazhimin tonë absolut për sigurinë, angazhimin tonë për të mësuar, për të rifituar besimin e publikut në atë që ne bëjmë, si dhe për të parandaluar që aksidente si këto të mos të ndodhin më”, tha zoti Muilenberg.
Por kritikët thonë se ai u tregua i ngadaltë në pranimin e fajit për dështimet e programeve kompjuterike për të cilat inspektorët e sigurisë thonë se kontribuan në të dy aksidentet./VOA