Zinedine Zidane analizoi “El Clasico” dhe “vajtoi” mungesën e golit, mes rasteve të shumta që patën lojtarët e tij ndaj Barcelonës. Trajneri francez beson se të tijtë merituan më shumë se një barazim në këtë transfertë delikate. Kjo ishte ndeshja e pestë e “Zizou” si trajner i të bardhëve në “Camp Nou”, në të cilat nuk ka humbur asnjë. Më saktësisht, ai ka grumbulluar dy fitore dhe tri barazime. Analiza e tij nis nga ndeshja: “Kemi luajtur në mënyrë serioze, mjaft të përqendruar për 90 minuta. Ishte një klasike e mirë, një lojë tërheqëse. Mungonin vetëm golat. Duhet të jemi të lumtur për ndeshjen, sepse kishim përballë një kundërshtar shumë të mirë. Natyrisht, rezultati nuk na pëlqen shumë. Mund të kishim marrë diçka tjetër, por futbolli është i tillë.
Nëse ke shanse, duhet ta futësh topin në rrjetë. Kjo është ajo që nuk bëmë mirë, kemi shpërdoruar disa raste të favorshme.
Bale? Të gjithë kanë qenë në lartësinë e duhur. Kohët e fundit, Bale nuk kishte luajtur shumë, por ndaj Barcelonës bëri një lojë të shkëlqyer. Po kështu Kroos dhe Fede, në pozicionin e tyre. Rafa dhe Sergio ishin të pakalueshëm. Të gjithë lojtarët e mi meritojnë përgëzime. Përpjekja e ekipit ishte e rëndësishme. Kur luan një ndeshje si kjo, në këtë stadium, meriton pak më shumë.
Goli i Bale? Ai tregoi se është një lojtar i rëndësishëm. Do të doja që t’i njihej goli, por Mendy ishte shumë pak “offside”. Polemikat për këtë gol? Arbitri dhe VAR vendosën ashtu, unë nuk mund të bëj asgjë. Tani ndeshja ka mbaruar. Sigurisht, nuk jam i lumtur për lojtarët, sepse ata merituan më shumë. A e kemi falur Barçën? Me lojën që zhvilluam, ne e merituam të fitonim. Dita në Barcelonë? Mendoj se gjithçka shkoi mirë për Real Madridin, për Barçën dhe për futbollin. Njerëzit që donin të shikonin një ndeshje të mirë, e patën këtë mundësi.
Fede Valverde? Ka luajtur një ndeshje të mirë. Përveç kësaj, ai po kalon një sezon të mirë, sepse çdo lojë rritet e jep më shumë. Ai është një lojtar i rëndësishëm i ekipit, si shumë të tjerë. Këtë sezon po luan rregullisht. Mungesa e Busquets? Nuk e di se çfarë ndodhi. Ai ishte planifikuar të luante, ishte në formacionin e parë. Ne e njohim çfarë lojtari është Butquets, por vetëm kaq mund të them, nuk flas dot për lojtarët kundërshtarë”.