Gentian Gjoka, presidenti i skuadrës së futbollit të Turbinës, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi është kapur me armë pa leje. Tani presidenti i skuadrës cërrikase rrezikon nga 7 deri në 15 vjet burg, për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Sipas Policisë së Tiranës, Gjoka ishte shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës për akuzën e mashtrimit. Ai banon në Tiranë dhe Policia, pas informacioneve të marra se Gjoka qarkullonte me armë zjarri, ishte vënë në ndjekje. Arrestimi i Gjokës është bërë në rrugën “Medar Shtylla” në Tiranë. Në banesën e presidentit të Turbinës policia ka gjetur një armë zjarri të tipit pistoletë dhe një krehër me fishekë.
“Kapet një person i shpallur në kërkim, i cili mbante armë zjarri me vete. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, me një karikator me fishekë luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, kanë shtuar kontrollet në gjithë territorin që kanë në juridiksion. Bazuar në informacionet e marra nga qytetarët se një person në kërkim qarkullonte me armë zjarri, nga shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë është organizuar dhe finalizuar operacioni “Lokalizimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim: G. Gj., 45 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.