Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan paralajmëron se vendi i tij nuk mund ta përballojë dot një valë të re refugjatësh nga Siria.
Dhjetëra mijëra njerëz po u drejtohen kufirit turk mes bombardimeve në rritje të rajonit veripërnëdimor të Sirisë, Idlib, i kontrolluar nga rebelët. Turqia strehon rreth 3,7 milionë refugjatë sirianë, numri më i lartë i popullsisë refugjate në botë. Erdogan paralajmëroi se një valë e re e të ardhurve nga Siria mund të peshonte tani në shpatullat e të gjitha vendeve evropiane.
“Më shumë se 80 mijë vëllezër nga Idlibi, që duan t’u shpëtojnë bombardimeve atje, lëvizin drejt kufijve tanë. Nëse dhuna atje nuk ndalet, numri do të rritet edhe më shumë. Në këtë rast, Turqia nuk do të mbajë më e vetme barrën e emigrantëve. Ndikimin negativ të presionit që ne kemi do ta ndjejnë të gjitha shtetet evropiane, veçanërisht Greqia”, tha Erdogani.
Deri në tre milionë njerëz jetojnë në Idlib, rajoni i fundit i madh në Siri që ende kontrollohet nga luftëtarët rebelë dhe xhihadistët që kundërshtojnë Bashar al Asad. Presidenti turk paralajmëron se kriza e vitit 2015, kur mbi 1 milion njerëz vërshuan drejt Evropës, mund të përsëritet nëse dhuna nuk merr fund.
Erdogani shtoi se një delegacion turk do të udhëtonte drejt Moskës për të diskutuar mbi situatën. Një armëpushim i negociuar nga Rusia dhe Turqia frenoi ofensivën e qeverisë siriane në Idlib në muajin gusht. Por, përleshjet dhe bombardimet atje vazhdojnë të jenë një realitet i përditshëm.