Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi paraditen e së martës familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë.
Në kthim, Basha publikoi një videomesazh, ku shprehet se gjendja është e mjerueshme dhe vendit i nevojitet një qeveri e përgjegjshme.
Mesazhi i Bashës pas kthimit nga Thumanë:
Të dashur miq, jam rrugës për kthim në Tiranë nga Thumana, ku për dy orë vizitova shumë familje të cilat janë në gjendje të mjerueshme. Pas një zallamahie propagande ata janë krejtësisht të harruar, të braktisur.
Ndërkohë që ftohja e motit dhe shirat i kanë nxjerrë jashtë përdorimit çadrat prej plastmasi apo çadrat verore me të cilat janë pajisur një pjesë prej tyre.
Dëshpërimi mbretëron kudo, varfëria është thelluar dhe tashmë ka nisur një pasojë tjetër e tmerrshme e kësaj krize humanitare. Ka shumë fëmijë të sëmurë, ka shumë të moshuar në nevojë për kujdes mjekësor për të cilët kanë nevojë por të cilët e kanë plotësisht të pamundur të marrin çdo shërbim aty ku janë apo të zhvendosen drejt spitaleve të Krujës, Tiranës apo të Laçit.
Kjo është gjendja e harresës totale, e braktisjes totale të shtetit prej kartoni, e shtetit të babëzisë dhe korrupsionit që është rrëzuar kohë para se tërmeti të rrëzonte shtëpitë e banorëve të Thumanës, Durrësit, Kurbinit dhe zonave të tjera të goditura rëndë.
Jemi në një krizë humanitare, me përmasa të plota, e cila vetëm sa do të thellohet.
Sepse shteti nuk po vepron. Qeveria dhe kryeministri e kanë mendjen tek parada mediatike, propaganda dhe po bëjnë gati të ngrenë mbi rrënojat e tërmetit një tjetër megaaferë korruptive, vjedhje, zhvatje dhe grabitje.
Vendi është në një krizë të thellë humanitare, ekonomike, sociale, politike dhe kushtetuese.
Rruga për ta zgjidhur këtë krizë duhet të nisë me përpjekjet e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake, për të patur një qeveri të përgjegjshme. Një qeveri e cila ndihmon në kapërcimin e pasojave të tërmetit dhe bën gati të gjitha masat dhe të gjitha instrumentet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të goditur kaq rëndë dhe për të ndalur rrokullisjen e ekonomisë kombëtare, në një greminë edhe më të thellë.
Nga zgjidhja e krizës politike, kalon edhe zgjidhja e krizës ekonomike, kalon edhe shpëtimi i dhjetëra mijëra familjeve të cilat ndodhen si asnjëherë në mëshirën e fatit. Kjo është sot emergjenca e vërtetë kombëtare e vendit.