Nga Elton Qyno
Hermes Nikaj, ose siç njihet ndryshe si “Zogu i Tiranës” do të kalojë në burg natën e ndërrimit të viteve. Kjo pasi mesditën e djeshme, Nikaj humbi mundësinë për të dalë nga kafazi i burgut 302. Gjykata e Apelit Tiranë “vulosi” vendimin për qëndrimin në qeli të Nikajt, duke bërë që ky personazh publik që shfaqej shpesh herë në ekranet shqiptare si gazetar emisionesh mëngjesi, të vijojë të qëndrojë gjatë në qeli.
“Shqiptarja.com” sot zbardh të plotë dosjen e prokurorisë ku tregohen bisedat e përgjuara nga prokuroria, komunikimet e “Zogut të Tiranës” me femrat dhe klientët si dhe shoqërimi i tij e komunikimet për disa personazhe të njohur. Mes shumë provave kundër Nikajt, prokuroria ka siguruar edhe dëshminë e vajzës që shfrytëzonte Hermes Nikaj, e cila është jetime, me babain në burg pasi i ka vrarë nënën. Është pikërisht kjo vajzë me inicialet D.N, që ka zbërthyer skemën e prostitucionit në Tiranë, ku në dëshminë e saj, tregon se në rrjetin e prostitucionit të Hermes Nikaj ishte dhe një vajzë që punonte si efektive policie në Tiranë, me inicialet D.
Sipas rrëfimit të vajzës, Hermes Nikaj përdorte një fjalë të koduar “Telebingo”, duke nënkuptuar se kishte dalë klient i mirë dhe që ajo duhej të bëhej gati. Më tej në dëshminë e saj D.N, nxjerr dhe emrin e I.A, një vajze që është shfaqur në ekranin shqiptar si këngëtare, dhe pohon para policëve se është shfrytëzuar në dy raste të tjera nga K.K, personazh i njohur nga Kosova, i cili drejton një emision në një televizion në Shqipëri. Në një rast tjetër nga Anjeza Bena, pronare e një qendre estetike në Tiranë, e arrestuar nga policia dhe e lenë më tej në “arrest shtëpiak”, e cila sipas dëshmisë së vajzës, e ka çuar në Frashër të Përmetit, ku ka kryer gjatë natës marrëdhënie seksuale me shokun e të dashurit të parukieres.
Kjo dëshmi dhe komunikimet telefonike nxjerrin në pah se Hermes Nikaj, kishte kohë që aplikonte metoda kriminale, duke shfrytëzuar vajza të reja, të cilave u gjente klientë për të kryer marrëdhënie seksuale në këmbim të pagesave në euro dhe lek.
Në pjesën më të madhe të rasteve, Nikaj vetëofronte marrëdhënie seksuale tek klientë të ndryshëm, duke shitur trupin e tij. I tillë ka qenë rasti me një shtetas italian tek një hotel në Tiranë, por edhe rasti i fundit, kur Nikaj, u kap në dhomën nr. 212 të hotel “Autostrada”, ku klienti me inicialet A.Gj nga Laçi, kishte paguar 200 mijë lekë të vjetra, për të kryer marrëdhënie seksuale me Nikaj dhe shoqen e tij D.N, vajza që ka zbërdhyer gjithë skemën. Kjo e fundit duke qenë pa kujdesin e prindërve, pasi nëna i ishte vrarë nga babai në vitin 2002, ishte futur në “rrjetën” e Nikaj dhe shfrytëzohej prej këtij të fundit për prostitucion në Tiranë. Shpesh herë Nikaj përdorte fotot nudo apo me mbathje të kuqe të D, N, me të cilat ai joshte klientët duke ja dërguar ato në aplikacionin “WhatsApp”. Një veprim të tillë, Nikaj e ka kryer para se të arrestohej, ku ka joshur klientin A.Gj, me fotot intime të D.N, dhe më pas i ka shkruar “…Ki besim, po vij tek dhoma 212…”.
Njohja me Hermesin nga vajza që vdiq tek Hotel “Mira-Mare”
Ofertat për punë…
Në dosjen e prokurorisë thuhet se gjatë marrjes në pyetje të vajzës D.N, ajo ka sqaruar se Hermes Nikaj, e ka njohur para dy muajsh, nëpërmjet një shoqes së saj, që quhet Eviola Broshka. Pikërisht dy ditë pasi arrestuar Hermes Nikaj dhe D.N (më 24 nëntor), shoqja e tyre e përbashkët, Eviola Broshka, ka humbur jetën nën rrënojat e hotel “Mira-Mare” në Durrës, i cili u shemb plotësisht nga lëkundja e tërmetit të datës 26 nëntor 2019. Eviola punonte balerinë. Pasi janë prezantuar Hermesi dhe D.N, kanë shkëmbyer numrat e telefonit dhe më pas kanë vijuar komunikimet.
D.N, tregon në dëshminë e saj se Hermes Nikaj, e ka pyetur në lidhje me jetën e saj personale, të cilit i ka treguar se është larguar nga shtëpia, pasi ka konflikt me babanë, prej 3 vitesh. Gjatë kësaj periudhe ka jetuar nëpër banesa të ndryshme të shoqeve të saj dhe nuk ka mundur të sigurojë jetesë nëpërmjet një pune të rregullt. Veç kësaj, Hermesit i ka treguar se nëna e saj ka ndërruar jetë në vitin 2002, pasi babai i D, e ka vrarë atë. Duke mësuar këto probleme, Hermesi, i ka thënë se do ta dërgonte në disa vende ku ndodhen disa persona, ku sipas tij i kishte miq dhe D.N, do të kryente marrëdhënie seksuale me ta kundrejt pagesës. Hermesi, i ka sqaruar se për pagesën me personat do të fliste vetë ai, ndërsa kur D.N, do të përfundonte kryerjen e marrëdhënies seksuale do të merrte paratë prej klientit dhe më pas do t’ia jepte Hermesit. D.N, sqaron se për shkak të gjendjes së saj të rënduar ekonomike dhe e gjendur pa përkrahje, ka menduar se nuk ka pasur zgjidhje tjetër për të përballuar jetesën. Ajo i ka thënë Hermesit, se ishte dakord ta bënte diçka të tillë.
Rasti i parë me italianin
Më tej D.N, tregon se para një muaji, Hermesi i ka thënë se duhet të takohen me një italian tek një hotel. Hermesi kishte folur me këtë person në aplikacionin “WhatsApp” dhe D.N, së bashku me Hermesin, kanë shkuar tek hoteli. Hermesi, gjatë rrugës i ka shpjeguar D.N, se do të merrte 100 euro nga klienti italian, me të cilin do të kryente marrëdhënie seksuale dhe paratë do t’i ndante me Hermesin. Në katin e parë të hotelit, janë takuar me italianin dhe Hermesi ka filluar të bisedojë në gjuhën italiane. Nga biseda që ka bërë Hermesi me italianin, i ka konfirmuar përsëri D.N, se do të merrte prej tij 100 euro. D.N, sqaron se italiani nuk ka pranuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të, dhe me Hermesin në të njëjtën kohë. Pas kësaj Hermesi është larguar, ndërsa D.N, dhe italiani janë ngjitur në dhomën e hotelit, ku qëndronte italiani.
Vajza e shfrytëzuar për prostitucion, D.N, sqaron se para se të kryenin marrëdhënie seksuale, italiani i ka bërë pagesën prej 100 eurosh. Pasi ka përfunduar, D.N, thotë se ka vajtur dhe ka takuar Hermesin te shtëpia e tij dhe i ka dhënë 5.000 lekë të rinj. Sipas saj, ka pasur edhe raste të tjera kur Hermesi, i ka gjetur klientë për të kryer prostitucion kundrejt përfitimeve, por nuk janë realizuar për shkak se Hermesi, nuk ka qenë korrekt në lidhje me orarin kur e kërkonin klientët.
“Telebingo”, bëhu gati. Polici çoi eskortën në hotel
Në lidhje me rastin kur D.N, është gjetur në ambientet e hotel “Autostrada” me Hermes Nikaj dhe A.Gj, vajza thotë se rreth orës 00:30 i ka telefonuar Hermesi nga numri i tij dhe pasi e ka pyetur se ku ishte, i ka kërkuar të bëhej gati shpejt dhe ka përdorur shprehjen “Telebingo”. Më pas i ka kërkuar të rregullohej mirë. Në lidhje me shprehjen e përdorur prej Hermesit “Telebingo”, D.N, thotë se ai i kishte shpjeguar më përpara se kur t’i thoshte këtë kuptohej që i kishte gjetur klient për të kryer prostitucion. D.N, sqaron se është nisur me një taksi me një person që quhet “Velo” dhe me sa di ajo, Velo është punonjës policie dhe ka vajtur tek lagjja e Hermesit. D.N, ka qëndruar në taksi dhe Hermesin, e ka sjellë shoqja e tij këngëtare, I.A, me makinën e saj. Kanë hipur në taksi dhe Hermesi, i ka thënë D.N, në prani të Velos, se do të qëndronin së bashku me personin te ky hotel “Autostrada” 1 orë dhe do të merrnin 100 mijë lekë të vjetër shqiptarë secili dhe më pas do të largoheshin. Gjatë rrugës Hermesi, ka komunikuar me klientin, i cili i ka thënë se ndodhej në dhomën 212. Kanë shkuar te hoteli dhe derën e dhomës e ka hapur A.Gj. Vajza më tej ka deklaruar se pasi janë futur brenda, Hermesi e ka prezantuar me A.Gj. Nga biseda që është zhvilluar, D.N, ka mësuar se Hermesi i kishte dërguar edhe herë të tjera vajza në hotel për prostitucion. D.N, sqaron se para se të zhvisheshin, laçjani A.GJ, i ka dhënë asaj 100 mijë lekë të vjetër dhe 100 mijë lekë të vjetër Hermesit. Ajo tregon se klienti do të kryente marrëdhënie seksuale me vetë atë, por më pas edhe me Hermesin. Ajo sqaron se teksa ishin në krevat, kanë dëgjuar të trokisnin në derë. Ka hyrë policia që i ka gjetur të zhveshur dhe më pas i kanë shoqëruar për në polici.
Në rrjetën e Hermes Nikaj dhe një efektive policie
D.N ka pohuar se para një muaji ka qenë në datëlindjen e një vajze, që Hermesi e ka shoqe i ka treguar se u gjente klientë edhe disa vajzave të tjera, të cilat ishin në datëlindje, mes të cilave një e mitur, dhe një vajzë tjetër e cila punonte në polici, me inicialet e parë të emrit D. Vajza e shfrytëzuar për prostitucion, ka thënë në dëshminë e saj se, Hermesi i ka treguar se këtyre vajzave u gjente klientë për prostitucion.
Shfrytëzim në dy raste nga prezantuesi nga Kosova
Pyetjes nëse Hermes Nikaj i ka prezantuar ndonjë person tjetër, i cili i ka gjetur klientë për prostitucion, ajo ka sqaruar se Hermesi e ka prezantuar me një djalë nga Kosova, me inicialet K.K. Ky i fundit ka qenë i arrestuar nga policia e Tiranës në muajin Mars 2019, për akuzën e “Mashtrimit”. Në dëshminë e saj, D.N, tregon se janë takuar me K.K në një lokal në Tiranë, i cili ka qenë në shoqërinë e disa vajzave. Gjatë bisedës, K.K e ka ftuar D.N, të merrte pjesë tek eventi që ai do të organizonte “Miss & Mister of Albania 2019”. D.N, sqaron se ka pranuar dhe kanë shkëmbyer numrat e telefonit me një vajzë, që ishte në tavolinë me K.K, me inicialet Xh.Sh. Pas disa ditësh, prezantuesi nga Kosova me emision në Shqipëri e ka ftuar D.N te vendi i tij i punës në Tiranë, dhe janë takuar.
Pasi kanë dalë me K.K dhe me disa vajza, ai i ka thënë D.N, që të dilnin me qëllim që të bënin para. Sipas D.N, kjo ka nënkuptuar që duhej të kryente prostitucion me klientë që do t’i gjente K.K. Kështu natën e “Hallouinit”, D.N, ka qenë me K.K dhe shoqen e tij Xh.Sh te një piceri në zonën e “Freskut”. K.K ka biseduar me një person, i cili ka shkuar dhe i ka marrë të gjithë me makinë tip “Ford”, me ngjyrë gri. Pasi kanë lënë X.Sh në shtëpinë e saj, kanë ikur së bashku me K.K dhe me personin që më pas ka mësuar se quhej, D…l dhe që punonte në aeroportin e Rinasit. Kanë shkuar te një hotel në “Rrugën e Dibrës” dhe D…l është futur para në hotel. K.K i ka thënë vazjës D.N, se D….l, do ta paguante për marrëdhëniet seksuale që ajo do të kryente me të. Janë futur të tre së bashku në një dhomë dhe D.N, sqaron se ka kryer marrëdhënie seksuale me personin që siç i kishte tregruar personazhi i njohur nga Kosova, punonte në Rinas, ndërsa K.K ka qëndruar gjatë aktit seksual në dhomë së bashku me ta. Pasi kanë mbaruar, D.N, sqaron se ka filluar të qajë, pasi është ndier keq për atë që ka bërë, ndërsa K.K nuk i ka dhënë asnjë lek për atë që i kishte bërë. Ditën e nesërme janë nisur së bashku me K.K për në Kosovë dhe me shoqen e tij Xh.Shku kanë shkuar në Pejë. Aty K.K i ka sjellë një djalë, që quhej Sh. Sh, ku i ka kërkuar vajzës D.N, të kryente marrëdhënie seksuale, pasi Sh. Sh do t’i siguronte K.K një ambient për prostitucion, por D.N, nuk ka pranuar. D.N në dëshminë e saj ka pohuar se ka qëndruar atë natë me shoqen e K.K, Xh.Sh, ndërsa prezantuesi nga Kosova është mërzitur me të, pasi i thoshte D.N, përse e zhgënjeu duke mos shkuar me klientin që ai i kishte gjetur në Pejë, Sh.Sh. Ditën e nesërme, D.N, është kthyer e vetme për në Shqipëri nga Kosova.
Shfrytëzimi nga Anjeza, parukierja në Frashër të Përmetit
Për sa u përket rasteve të tjera, D.N, sqaron se Hermes Nikaj, e ka prezantuar edhe me një vajzë, e cila ka një qendër estetike dhe quhej Anjeza Bena dhe kishte një makinë BMË me ngjyrë gri. D.N, është takuar me Hermesin në një kafe në rrugën “Myslym Shyri” dhe me Anjeza Benës. Hermesi i ka thënë D.N, që të shkonte me Anjezën për punë në një pikë turistike, që nuk ia ka treguar se ku ndodhej. Ai i ka thënë se nuk do të dilte keq në lidhje me pagesën që do t’i bëhej për këtë rast. D.N, sqaron se Hermesi dhe Anjeza, i kanë treguar se ishin disa persona, shokë të të dashurit të Anjezës, që u përmend mes tyre me pseudonimin “Xhixho”. D.N, ka shkëmbyer numrin e saj të telefonit me Anjezën dhe kjo e fundit i ka dhënë numrin e saj. D.N, ka biseduar në telefon me Anjezën dhe të pasnesërmen Anjeza ka shkuar me makinën e saj dhe e ka marrë në rrugën “Don Bosko” dhe janë nisur të dyja së bashku për në Fier. Në qytetin e Fierit, po priste me makinë i dashuri i Anjezës dhe një shok i tij me të cilët janë nisur për në fshatin Frashër të Përmetit. Kur kanë mbërritur atje janë futur në një banesë. “Xhixho” dhe “Anjeza”, janë futur në një dhomë, ndërsa D.N, i kanë thënë të shkonte të flinte me shokun e “Xhixhos”. D.N, ka sqaruar se fillimisht nuk ka pranuar, por në kushtet ku ka qenë nuk ka mundur të refuzojë, pasi ka pasur frikë se e linin të vetme aty në fshat. Kështu që ka kaluar natën me shokun e “Xhixhos”, i cili kreu marrëdhënie seksuale me D.N. D.N, ka pohuar se i ka kërkuar Anjezës paratë paradhënie dhe Anjeza i ka thënë se do t’ia jepte. Ditën e nesërme janë kthyer në Fier dhe më pas D.N me Anjezën kanë udhëtuar nga Fieri për në Tiranë. Anjeza i ka kërkuar “Xhixhos” 50 euro për D.N, që shkoi me shokun e tij dhe më pas eurot ia ka dhënë D.N.
Pasi janë kthyer në Tiranë, D.N sqaron se e ka takuar edhe disa herë të tjera Anjezën, si edhe kanë biseduar në telefon. D.N, sqaron se Anjeza ka marrë një vajzë balerinë me inicialet K.G. dhe e ka dërguar së bashku me “Xhixhon” në Maqedoni. Pasi janë kthyer nga Maqedonia, D.N, është takuar me vajzën në fjalë, e cila i ka treguar se kishte qenë në një datëlindje të një shokut të dashurit të Anjezës, dhe kërkonin një vajzë për të kërcyer. Shoku i “Xhixhos” nuk kishte vajtur në këtë datëlindje dhe Anjeza, K.G, e një vajzë tjetër dhe “Xhixho” qëndruan së bashku. D.N, ka treguar në polici se K.G, i ka pohuar se Anjeza i kishte kërkuar asaj të kryente marrëdhënie seksuale në grup me “Xhixhon”, Anjezën dhe me vajzën tjetër, por K.G, nuk ka pranuar të bënte diçka të tillë dhe ishin kthyer ditën e nesërme.
/Shqiptarja.com