Bota Pas dy vitesh bllokim, rihapet Wikipedia në Turqi

Pas dy vitesh bllokim, rihapet Wikipedia në Turqi

Themeluesi i Wikipedia-s, Jimmy Wales

Pas dy vitesh e gjysmë bllokim, Wikipedia nuk do të jetë më e censuruar në Turqi. Këtë mëngjes, Autoriteti i Kontrollit të Teknologjisë së Informacionit (BTK) mori vendimin, pasi një ditë më parë Gjykata Kushtetuese në Ankara kishte vendosur se bllokimi i faqes së internetit në fjalë dhunonte lirinë e fjalës.

Themeluesi i Wikipedia-s, Jimmy Wales, mirëpriti vendimin duke shkruar “Mirë se u ktheve, Turqi”, në një postim në Twitter, shoqëruar me një foto gjatë një udhëtimi në Turqi.

Ndalimi i Wikipedia-s në të gjitha gjuhët u vendos nga Qeveria në prill 2017, pasi në disa prej artikujve të saj shkruhej se zyrtarë të ekzekutivit turk ishin të përfshirë në tregtinë e karburanteve me militantë të Shtetit Islamik. Pasi Wikipedia nuk pranoi të fshinte artikujt, Ankaraja tha se ajo ishte pjesë e një fushate kundër Turqisë dhe mori masën administrative.