Shtatë aktivistë të “Organizatës Politike” janë arrestuar një ditë më parë në Qendrën Tregtare “TEG”, ndërsa 4 janë liruar, dhe 3 mbahen akoma në burg.
Arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata po shpërndanin fletushka kundër pronarit të TEG-ut, Samir Mane, dhe në solidarizim me minatorët e shkarkuar nga puna të Bulqizës.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, përmes, Boiken Abazit Kryetari i Bordit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, duke thënë se dhuna ndaj qytetarëve është e papranueshme.
Abazi bën thirrje për hetim për shkarkimin e minatorëve të Bulqizës, pasi ata krijuan sindikatën e tyre.
Statusi i Abazit:
Aktivistë të “Organizatës Politike” janë rrahur dje brutalisht nga Policia Private në TEG sepse po shpërndanin fletushka vetëdijësuese për shtypjen e minatorëve në Bulqizë nga kompania AlbChrome, që ka të njëjtin pronar si TEG-u: oligarkun Samir Mane. Më tej, 7 janë arrestuar nga Policia e Shtetit, por 4 janë liruar, ndërsa 3 mbahen ende në arrest. Në vend që Policia e Shtetit të ndalë Policinë Private që nuk ka asnjë të drejtë të prekë qytetarët me dorë nga që shpërndajnë fletushka, ne vend që Prokuroria të nisë hetimet ndaj shkeljes së të drejtave të minatorëve, rrahin djem e vajza të reja në mes të Tiranës dhe ndjekin penalisht minatorët sindikalistë në Bulqizë që kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre.
Ky regjim ku oligarkët bëjnë ligjin duke shtypur punëtorë e studentë, ka nisur të marrë trajtat e një regjimi proto-fashist. Nga që fashizmi do ushtri dhe ekonomi prodhuese, nuk e realizon dot të plotë këtë prirje, prandaj dhe përfundon në kolaboracionizëm me fashizmin e Serbisë në projekte si mini-shengeni/neojugosllavia që i ngre bashkë me kriminelë lufte si Vuçiç.
Lironi aktivistët!
Ktheni minatorët në punë!