Aktualitet Drogë dhe përplasje në Suedi, e kaluara e errët e shqiptarit që...

Drogë dhe përplasje në Suedi, e kaluara e errët e shqiptarit që u vra në Londër

Vrasja e Flamur Beqirit nga Kosova pak ditë më parë në prag të Krishtlindjes në Jug të Londrës ende nuk ka një autor. Mediat britanike i kanë kushtuar shumë hapësirë vrasjes mafioze. “Daily Mail“ shkruan se pista kryesore ku po hetojnë autoritetet britanike është një larje e mundshme hesapesh mes bandave të drogës, ku Beqiri dyshohet se ishte i përfshirë, pasi 4 vite më parë ishte kërcënuar në Suedi dhe kjo e kishte detyruar që të largohej në drejtim të Londrës për të jetuar.

Policia britanike beson se vrasja e Flamur Beqirit në shtëpinë e tij prej 1.7 milionë paundësh ka ardhur pikërisht nga përplasjet mes bandave të drogës. Oficerët e Scotland Yard tani janë përqendruar dhe po hetojnë për lidhjet e pretenduara të Beqirit me bandat e drogës në Malmo në Suedi.

Policia suedeze, sipas “Daily Mail“ ka informuar Scotland Yard se Beqiri, dyshohej se ishte përfshirë shumë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe kanabisit përmes Marokut dhe Spanjës në Suedi. “Ai dyshohet se ka qenë i lidhur me një bandë në Malmo e cila ishte futur në një kurs përplasje mes rivalët e saj në Suedi. Drejtuesi i bandës rivale “Los Suecos”, i shpëtoi me një plagosje një atentati në Malmo vjet, ndërsa tre shokët e tij u vranë. Nga përplasja mes dy bandave janë shënuar mbi dhjetë viktima në Suedi dhe në Spanjë. Beqiri 4 vite më parë u largua në Angli“, shkruan ‘Daily Mail’.

Familja Beqiri e tronditur për ngjarjen e rëndë kërkon të respektohet privatësia. “I falënderojmë të gjithë për mendimet dhe ngushëllimet e tyre.  Familja jonë është në gjendje shoku. Të kesh kaq shumë trishtim në këtë kohë të vitit është e tmerrshme. Ne kërkojmë që të respektoni privatësinë tonë. Jemi të pikëlluar“, është shprehur familja e shqiptarit nga Kosova.

36-vjeçari u qëllua pas shpine në momentin që po hynte në shtëpi. Fqinjët kanë deklaruar në dëshminë e tyre për autoritetet britanike se pak ditë para vrasjes kishin parë një person të dyshimtë që lëvizte në zonë. Çifti bënte një jetë të shtrenjtë. Flamur Beqiri ishte producent, ndërsa gruaja e tij Debora Krasniqi në profilin ka postuar foto me disa emra të njohur të muzikës. Flamur Beqiri është vëllai i modeles së famshme Misse Beqiri, e cila ka qenë e martuar me futbollistin Anders Lindegaard.