Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Irakun me sanksione të ashpra, pasi parlamenti i këtij vendi miratoi një rezolutë, ku i bëhej thirrje ushtrive të huaja të largoheshin nga vendi.
Rezoluta jo-detyruese u miratua pas vrasjes të premten nga dronët amerikanë pranë aeroportit të Bagdadit të gjeneralit të gardës revolucionare iraniane Qassem Suleimani.
Duke folur përpara gazetarëve gjatë fluturimit me avionin presidencial për në Florida, Trump përdori edhe një krahasim për të treguar se sa të ashpra do të ishin këto sanksione.
“Me masat ndëshkuese që kemi në plan, sanksionet ndaj Iranit do të duken më të buta. Ne kemi një bazë ajrore atje jashtëzakonisht të kushtueshme. Na ka kushtuar miliarda dollarë për ta ndërtuar. Nuk do të largohemi derisa të na e shlyejnë atë”, tha Trump.
Por teksa Trump i mban të larta tonet ndaj Iranit dhe Irakut, drejtuesja e dhomës së përfaqësuesve në kongresin amerikan, demokratja Nancy Pelosi tha se do të shtrojë për votim një rezolutë që kufizon vendimmarrjen e presidentit Trump për veprimet ushtarake kundër Iranit.
Por sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo shpreh vendosmërinë e administratës për ta çuar deri në fund betejën e nisur kundër regjimit iranian.
“Mund të ketë pak zhurmë në vendin tonë për këtë çështje, por ne do të marrim të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur amerikanët në Irak e rajon, e po ashtu kudo nëpër botë”, tha Pompeo.
Pas vrasjes së Suleimanit, urrejtja ndaj amerikanëve në Iran ka arritur kulmin.
Rekord prej miliona pjesëmarrësish morën pjesë në ceremonitë përkujtimore në Teheran për gjeneralin e vrarë. Përpara arkivolit të Suleimanit u shfaq i përlotur edhe Ayatollahu Kamenei. Liderët e Iranit betohen se do t’i dëbojnë amerikanët nga rajoni. Hakmarrje kërkoi përpara trupit të të atit kërkoi edhe e bija e gjeneralit Zeineb Suleimani.