Nga Dritan Hila
Mike Pompeo nuk pati besim të njoftonte asnjë nga aleatët e tij të afërt për goditjen që do t’i bëhej Kasem Sulejmanit. Vetëm më pas, bëri tri të tilla, respektivisht me gjermanët, francezët dhe britanikët. Pas këtyre jo vetëm që rrudhi buzët, por edhe shprehu pakënaqësinë për mungesën e entuziazmit të tyre që mesa dukej përvijonin edhe një vijë të ndryshme nga ajo e SHBA-së.
Nuk telefonoi italianët, megjithëse këta kanë kontingjentin më të madh ushtarak në Irak, të dytin pas atyre të SHBA-së, me 900 instruktorë.
Luigji Panebianko, opinionist i “Corriere della Sera”, e shpjegonte me ambiguitetin historik italian në kohën e përplasjeve. Dhe shtonte se jo vetëm Italia, por edhe BE-ja duhet të ndajë mendjen se me kë është. Në përplasjen në një rajon të nxehtë si Lindja e Mesme ku veprimi i eliminimit të Sulejmanit mund të jetë i planifikuar apo gjendje e humorit të Trump, pavarësisht këtyre arsyeve, duhet të vendosim se me kë do të jemi, pasi SHBA-ja duket se ka vendosur të rikthehet rëndshëm në lojë në këtë rajon. Një pjesë e BE-së po flirton me Rusinë, ndërsa Italia duhet të vendosë se nga cila anë do të jetë, theksonte Panebianko.
Ky është një sinjal edhe për Tiranën. Rama bëri shumë mirë që përgëzoi SHBA për aksionin. Por në pedinën e tij janë të shkruara edhe votimet pro rezolutës turke për Palestinën, për mos folur për refuzimin e armëve kimike.
Ndërkohë Shqipëria duhet të bëjë llogaritë edhe me faktorin turk, i cili nuk është zë i parëndësishëm në botën myslimano-sunite dhe prej kohësh i ngatërruar në rajonin naftëmbajtës sikurse edhe ato shqiptare, qëndrimet e të cilit disa herë nuk janë të përputhura me ato amerikane. Por qeveria Rama është ngushtësisht e lidhur me këtë fuqi rajonale. E këtu loja bëhet më e komplikuar pasi Turqia po futet në Libi, një zonë influence kjo e një aleati tjetër të rëndësishëm dhe historik për ne si Italia e cila nuk e ka pritur fare mirë këtë hap të Erdoganit.
Ndërkohë në sfond nuk duhet harruar Izraeli, i cili është në mes të këtij rajoni përvëlues, por me një lob i cili është treguar shumë miqësor me shqiptarët.
Ndaj mbajtja e një filli të kuq është i rëndësishëm dhe logjika është e thjeshtë:
Nëse SHBA-ja eliminon Sulejmanin, do të thotë që për ata ishte problem. Ai ishte një kundërshtar i interesave amerikane dhe aleat i Rusisë ku kjo e fundit është një aleate e Serbisë. Këtu nuk ka të bëjë fare përkatësia fetare, pasi në të tilla nivele luhet për gjeopolitikë dhe jo për ndërtim xhamish.
Si e pse e qysh e eliminoi SHBA-ja, Sulejmanin, nuk na hyn fare në xhep; sa është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, nuk na duhet një lek, sidomos për një tip që gjithë jetën e tij ishte shquar për pengmarrje, vrasje dhe terrorizëm shtetëror. Për dashnoret e kësaj të drejtës duhet rikujtuar që edhe lufta e NATO-s në Kosovë ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të kohës dhe nëse SHBA-të do t’i ishin përmbajtur klisheve të kohës, kosovarët do të ishin lëndë e parë për grirësen e mishit të një tjetër krimineli që luftonte në emër të kryqit, si Milosheviç.
Për më shumë duke pasur 3.000 opozitarë iranianë në token tonë, ne jemi të lidhur organikisht me SHBA-në dhe në luftë të pashpallur me regjimin e ajatollahëve.
Në Shqipëri ka një problem të vogël me disa pakica besimtare të cilat si gjithmonë në kohë krizash morale e gjejnë mbështetjen tek ekstremizmi. Këta duhet të qartësohen që tipa si Sulejmani pak fare kanë të bëjnë me besimin. E në qoftë se ju ka marrë koka erë dhe duan të bëhen ushtarë të xhihadit, duhet të kenë të qartë që më shpejt mbarojnë Sulejmanët se raketat e SHBA.
Shqipëria ka një komunitet bektashinjsh të cilët afrohen me shiian, por ky është komuniteti më mirëkuptues ndaj shtetit shqiptar dhe interesave të tij. Ka një komunitet suni i cili përjashto raste kur ndonjërin e kap xanxa e fesë, përfundon shkretëtirave të Sirisë, por në tërësinë e vet është i orientuar nga ndarja e fesë nga shteti.
Për ne ky është një moment “in or out”. Ose je me SHBA ose je kundër saj.
SHBA-ja mund të falë votime apo aberracione të aleatëve të saj në kohë disimpenjimi, për shkak të konjukturave të brendshme politike, por jo kur është në luftë dhe rrëshqitjet majtas e djathtas, bëhen vijë sjelljeje.
Për fatin e madh tonin jemi nën ombrellën e fuqisë më te madhe ushtarake të gjithë kohërave. Jemi në mirëdashjen e tyre pasi na kanë falur edhe gafa. Por nuk mund t’i lejojmë vetes që të krijojmë imazhin e një aleati të pabesë. Do të ishte një kosto që nuk mund ta përballojmë./dritare.net