Me fillimin e dekadës së re e gjithë bota i ka sytë nga Lindja e Mesme, më konkretisht në Iran. Pas vrasjes së krye-gjeneralit iranian, Ghassem Soleimani në Bagdad nga një sulm i papritur me dron i SHBA-së të gjitha shenjat flasin për një përshkallëzim të mëtejshëm. Gjendja është mjaft e rrezikshme dhe situata shumë shpejt mund të dalë jashtë kontrollit. Por si arriti gjithçka deri këtu? “American Eye” sjell një histori koncize të marrëdhënieve SHBA-Iran.
Irani është një vend shumë i ndërlikuar për t’u kuptuar
Historia e tij e kohëve të fundit është unike dhe e pabesueshme për shpejtësinë dhe thellësinë e ndryshimeve nëpër të cilat ka kaluar. Nga viti 1979 është një Republikë Islamike dhe në botë ka vetëm katër të tilla. Ajo iraniane është e vetmja e qeverisur nga shiitët. Para kësaj date Irani ishte një monarki me në krye Shahun, aleati më i madh i SHBA-së në Lindjen e Mesme. Revolucioni ndryshoi gjithçka dhe prej asaj kohe Irani është një vend shumë i ndryshëm nga ç’ishte më parë, i cili përfundoi në qendër të vëmendjes së politikës së jashtme të shumë shteteve në botë.
Si u bë Irani mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Para vitit 1979 Iranin e qeveriste Shahu: kështu quhej mbreti i Persisë dikur sepse në fakt bëhej fjalë për një monarki. Nga viti 1941 deri më 1979-n shahu ishte Reza Pahlevi, i cili trashëgoi detyrën nga i ati, Reza I, i detyruar të abdikonte në vitin 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fund të luftës Mbretëria e Bashkuar, që kishte qenë fuqia dominuese në Lindjen e Mesme deri në atë moment, vendosi të mos angazhohej më atje: qeveria e re laburiste britanike preferoi të përdorte burimet e saj për rindërtimin kombëtar më shumë se për politikën e jashtme. Shtetet e Bashkuara kishin nevojë për një aleat që ta zëvendësonte dhe që të zhvillonte funksionet e “policit” në këtë rajon: zgjodhën Iranin e Shahut, i konsideruar si mjaft i besueshëm. Ky e pranoi rolin edhe pse me disa pikëpyetje.
Aleanca me SHBA-në u bë e plotë në vitin 1953, kur Shahu rimori kontrollin e vendit me një grusht shteti të drejtuar kundër nacionalistit Mohammed Mossadegh dhe në të kontribuan shërbimet sekrete amerikane e britanike. Ndërkaq Irani u afirmua si shtet prodhues dhe eksportues i naftës. Fitimet e mbledhura i lejuan të blinte shumë armë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për ta transformuar ushtrinë iraniane në ushtrinë më të fortë në Lindjen e Mesme. Ky ishte Irani që u pëlqente amerikanëve e që ish-sekretari i Shtetit, Henry Kissinger, e sintetizoi kështu: “Nuk kishte asnjë mundësi për të dërguar forcat amerikane në Oqeanin Indian në mes të luftës në Vietnam dhe ndërsa Amerika përjetonte traumën, boshllëku i lënë nga tërheqja britanike, duhej të plotësohej nga një fuqi lokale në favorin tonë. Në këtë mënyrë Iraku do të shkurajohej në kanosjen që ushtronte kundër Emirateve të Gjirit, Jordanisë apo Arabisë Saudite.Një Iran më i fortë do të shuante tundimet indiane për pushtimin e të gjithë Pakistanit. Dhe e gjithë kjo mund të bëhej pa futur në mes burimet amerikane, meqë Shahu ishte i gatshëm të paguante armët me të ardhurat e shitjes së naftës”.
Revolucioni islamik i Khomeinit në vitin 1979
Në vitin 1979 në Iran ndodhi revolucioni më i pabesueshëm i historisë së Lindjes së Mesme, po ashtu edhe më i rëndësishmi dhe domethënësi nga këndvështrimi politik ndërkombëtar. Vitet që paraprinë revolucionin u shënuan nga një rritje progresive e të pakënaqurve dhe protestave në të gjithë vendin. Arsyet sintetizoheshin në tri pika:
Së pari, midis viteve 1963-1979 në Iran ndodhi i ashtuquajturi “revolucioni i bardhë”: një program shumë i gjerë në reforma të sugjeruara nga administrata amerikane e John F. Kennedy, për t’i paraprirë kërkesave për ndryshim të opozitës. Por, modernizimi ishte shumë i shpejtë dhe u akuzua mbi të gjitha nga fetarët se Irani po bëhej perëndimor. Pritshmëritë e iranianëve u shtuan, por jo në një linjë paralele me zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe luftën kundër korrupsionit brenda monarkisë.
Në vitin 1976 vendin e përfshiu kriza (prej disa vitesh situata delikate midis Izraelit, Egjiptit dhe Sirisë kishte ngadalësuar prodhimin e naftës) me nivelet e larta të papunësisë dhe inflacionit: nga maji i 1977-s filluan protestat e intelektualëve, të cilave më pas iu shtuan ato të fetarëve dhe të të moderuarve.
Midis atyre që protestonin, një figurë u bë e dukshme më shumë se të tjerat, e që më pas shënoi ndryshimin thelbësor në historinë e Iranit: ajatollah Ruhollah Khomeini (ajatollah do të thotë “shenja e Zotit” dhe është titulli më i lartë që iu jepet përfaqësuesve të rëndësishëm të klerit shiit).
Khomeini i mërguar në Paris, më pas jetoi për disa vite në Irak. Ai ishte një prej fetarëve më autoritarë nga këndvështrimi doktrinor, që luftoi betejën politike më të ashpër kundër Shahut.
Predikimet e tij nuk patën shumë ndikim në Iran deri në momentin e përhapjes së audiokasetave me anë të të cilave Khomeini bëri të njohura nëpër të gjithë vendin bindjet e tij. Ai u rikthye në Iran më 1 shkurt të vitit 1979 dhe u prit nga rreth 3 milionë persona, ndërsa Shahu tashmë ishte larguar nga vendi.
Në mars të vitit 1979 iranianët vendosën një referendum për të rrëzuar monarkinë dhe për t’u kthyer në një Republikë Islamike: 98% e popullsisë votoi në favor të kësaj zgjidhjeje. Irani ishte vendi i tretë në botë që adaptoi këtë sistem pas Pakistanit (1956) dhe Mauritanisë (1958), por ishte i pari që qeverisej nga shiitët dhe jo sunitët.
Brenda pak muajve pati ndryshime të rëndësishme: u shtypën minorancat fetare dhe etnike në kërkim të autonomisë dhe u sulmuan selitë e organizatave të majta, u kufizua liria e shprehjes dhe muzika u kthye në të paligjshme. Shumë nga këto ndalime janë në fuqi ende sot.
Sipas Kushtetutës së re, Khomeini u bë juristi suprem. De facto mbante detyrën më të rëndësishme në Iran. Nga viti 1989, pra nga vdekja e Khomeinit, kjo detyrë ushtrohet nga Ali Khamenei.
Si është Irani pas revolucionit
Gjatë 30 viteve të fundit Irani ka qenë një nga problemet më të mëdha të politikës së jashtme të disa shteteve perëndimore. Republika e re Islamike u tërhoq shpejt nga sistemi i aleancave që kishte krijuar Shahu. Shtetet e Bashkuara e gjetën veten pa aleatin e tyre kryesor në Lindjen e Mesme dhe nuk ishte një problem i vogël duke parë rëndësinë që rajoni kishte në planin e prodhimit dhe eksportimit të gazit dhe naftës. Në vitin 1979, raportet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara u thyen plotësisht për shkak të së ashtuquajturës “krizë e pengjeve”, e filluar më 4 nëntor 1979, kur qindra studentë islamikë pushtuan ambasadën amerikane në Teheran, si reagim ndaj azilit që qeveria e SHBA-së i kishte dhënë Shahut. Studentët sekuestruan 50 pengje brenda ndërtesës diplomatike për 444 ditë. Ngjarja është rrëfyer në disa dokumentarë, libra dhe filma dhe u konsiderua si një nga motivet e mposhtjes elektorale të presidentit Jimmy Carter. Filmi më i vlerësuar nga kritika me subjekt këtë temë është “Argo” i Ben Afleck, i nderuar këtë me çmimet më të rëndësishme “Golden Globe” dhe “Oscar”. Siç shkruan iraniania, Farian Sabahi në librin “Historia e Iranit”: “Khomeinit i takon merita apo, sipas disave, faji se e ka shndërruar shiizmin nga një rrymë paqësore e Islamit në një ideologji politike dhe teori të botës së tretë që sfidoi imperializmin e personifikuar nga fuqitë e huaja dhe nga borgjezia e lartë iraniane”.
Vitet që vijuan pas 1979-s ishin veçanërisht të vështira për iranianët: më parë ishte lufta kundër Irakut të Saddam Husseinit, që zgjati 8 vjet dhe që ishte një nga konfliktet më të gjata, të padobishme dhe të përgjakshme në historinë e rajonit. Pastaj filloi bashkëpunimin me disa nga regjimet armike të Perëndimit (si Siria, Koreja e Veriut, Kina) dhe me disa lëvizje terroriste, midis të cilave ajo libaneze e Hezbollahut.
Nga viti 2006, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka imponuar sanksione ekonomike dhe tregtare Iranit për të ndaluar tentativën e tij për ndërtimin e bombës atomike, e cila është mohuar gjithnjë nga iranianët, që thonë se kërkojnë të drejtën e tyre për të zhvilluar energjinë bërthamore civile.
Me ardhjen në pushtet të Barak Obamës, tensionet mes dy vendeve u zbutën disi dhe u arrit një marrëveshje ku Irani kufizonte programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Por me ardhjen në pushtet të Donald Trump marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan, ndërsa SHBA është tërhequr nga marrëveshja bërthamore në maj të vitit 2018 dhe, që atëherë, ka rikthyer sanksionet ndaj ekonomisë iraniane. Më 3 janar të këtij viti, forcat amerikane ekzekutuan gjeneralin iranian Qassem Soleimani dhe zinxhiri i ngjarjeve të këtyre ditëve tashmë është histori.