Në kohën e një krize të thellë ekzistencialiste të BE-së, Matteo Salvini, ministër i Brendshëm i Italisë dhe partneri i tij i koalicionit Luigi Di Maio kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për lëvizjen anti-Macron në Francë, të pagëzuar si “Jelekët e Verdhë”. Madje Salvini ka shkuar edhe më tej duke akuzuar Presidentin francez Emmanuel Macron se ishte kundër popullit të tij.
“Unë mbështes qytetarët e ndershëm që protestojnë kundër një presidenti qeverisës i cili është kundër popullit të tij”, ka thënë zëvendëskryeministri italian.
Megjithatë, kreu i “Lidhjes së Veriut” shtoi se ai “dënon me forcë” dhunën e fundit që ka dëmtuar protestat.
Ndërkohë, nënkryetari i Këshillit të Ministrave të Italisë, Luigi Di Maio, i cili është kreu i Lëvizjes “Pesë-yje” u bëri thirrje demonstruesve në blogun e partisë së tij “të mos dobësohen”.
Di Maio tha se politika, si në Francë dhe në Itali, “është bërë e shurdhër ndaj nevojave të qytetarëve që janë mbajtur jashtë vendimeve më të rëndësishme që prekin popullin”.
“Thirrja që ngrihet fuqishëm nga sheshet franceze është në fund të fundit një thirrje: ‘Le të marrim pjesë!’”, shkruan Di Maio.
Lëvizja “Jelekët e Verdhë” filloi në mes të nëntorit 2018 si një protestë kundër një rritjeje të propozuar të taksës së karburantit. Që atëherë është rritur dhe forcuar duke përfshirë pakënaqësi më të gjerë midis francezëve mbi standardet e jetesës dhe politikat e Macron.
Në kulmin e saj, më shumë se 280,000 njerëz u mblodhën për të protestuar në Champs-Elysees më 17 nëntor.
Macron dhe Salvini kanë një rivalitet të mirë-dokumentuar dhe histori të përplasjes publike. Më e fundit ishte në dhjetor, kur Salvini u tall me presidentin francez duke thënë se ai është një “mi laboratorik i zgjedhur për të mbajtur sistemin politik elitist në vend”.
Çifti i politikanëve kontrovers kanë përplasur shpesh “brirët” mbi politikën e imigracionit gjatë krizës së emigrantëve mesdhetarë. Në mënyrë tipike, mosmarrëveshja zbriste në një luftë fjalësh, me Salvinin që e quajti Macronin “sikletin ndërkombëtar” tetorin e kaluar pasi policë francezë ishin kapur duke zbarkuar emigrantë me një furgon në një pyll italian, në vendet e përbashkëta kufitare.