Kryesore Basha: Pas reformës zgjedhore, zgjedhje të parakohshme

Basha: Pas reformës zgjedhore, zgjedhje të parakohshme

Për kryedemokratin Lulzim Basha, miratimi i reformës zgjedhore do të sjellë zhvlerësimin e 30 qershorit, zgjedhje lokale dhe parlamentare, si edhe ndëshkimin e krimit zgjedhor.

“Pavarësisht të propagandës së shfrenuar të atij që e shtyu për 4 muaj reformën, faktet janë këto, reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga parlamenti ilegjitim. Vendimi për reformën zgjedhore do të merret nga dy palë, opozita dhe parlamenti monist bashkë me patericat e veta. Parlamenti do të jetë vetëm noter i kësaj marrëveshjeje”, tha Basha.

Zgjedhjet e parakohshme

Reforma, tha Basha, do t’i paraprijë zgjedhjeve të parakohshme. “Sot jam këtu për të garantuar në radhë të parë qytetarët shqiptarë, demokratët dhe socialistët e zhgënjyer dhe në veçanti rininë shqiptare se procesi që do të nisim ka vetëm një qëllim, rikthimin e votës te qytetarët, siç ndodh në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në gjithë rajonin dhe Europën. Mandatet tona i dogjëm për të treguar se demokracia ishte në gramën e fundit”, tha Basha.

Basha nuk u përgjigj nëse ka marrë ndonjë konfirmim nga ndërkombëtarët për zgjedhje të parakohshme, por tha se opozita sot është shumicë. “Synimi ynë menjëherë pas përfundimit të reformës është të shtyjmë për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Basha.

Gjiknuri

Basha komentoi edhe uljen e pjesëtarëve të opozitës në tryezë me Damian Gjiknurin, të akuzuar prej tyre për blerje votash. “Nuk ka për të pasur amnisti për askënd që është përfshirë në shit-blerjen e votave. Dërgimi i tyre para drejtësisë është prioritet absolut i PD, opozitës dhe partnerëve”, tha Basha. “Por nga ana tjetër, këta janë të gjithë ushtarë të Edi Ramës. Ndaj stigmatizimi i procesit të reformës zgjedhore është pjesë e propagandës. Synimi ynë është të largojmë Edi Ramën”, shtoi ai.

Falënderimet

Kreu i PD falënderoi deputetët gjermanë, veçanërisht socialdemokratët, të cilët, sipas tij, e kuptuan që “gremina ku po e çonte vendin autokracia e Edi Ramës do të kishte pasoja jo vetëm për Shqipërinë, por edhe Ballkanin”. Basha falënderoi edhe përfaqësuesit e BE dhe SHBA, por në veçanti ambasadorin britanik Duncan Norman.

Tryeza

Ditën e djeshme, bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari u ulën në një tryezë sëbashku me ish-deputetin Oerd Bylykbashi dhe nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili.

Pas një takimi që zgjati 60 minuta u ngrit një marrëveshje që parashikon krijimin e një Këshilli Politik me përfaqësues të mazhorancës, opozitës parlamentar dhe asaj joparlamentare.

Puna e Këshillit do të asistohet nga përfaqësues të OSBE-së, asistenca e të cilëve do të kërkohet në momentin që palët nuk gjejnë dakordësi për çështje të caktuara.