Ndjesa e Gelare Jabbari, ish-reportere e televizionit shtetëror të Iranit pas lajmit se rrëzimi i avionit ukrainas u shkaktua nga raketat iraniane. Edhe dy prezantuese të tjera kanë bërë të njëjtën zgjedhje.
Televizioni shtetëror iranian solli lajmin e vdekjes së 80 ushtarëve amerikanë në sulmet kundër bazave të tyre në Irak si përgjigje për vrasjen e gjeneral Soleimani. Nuk ishte e vërtetë. Më pas, për ditë të tëra përsëriti se avioni ukrainas i nisur nga Teherani ishte rrëzuar për probleme teknike. Edhe ky lajm rezultoi i rremë. Kështu, mes protestave të shumta në Iran, të hënën e kaluar ishte edhe protesta e dy spikereve të televizionit shtetëror të Iranit që dhanë dorëheqjen.
Një ish-spikere, Gelare Jabbari, që pati dhënë dorëheqjen dy vite më parë, shkroi në Instagram: “Më falni që kam gënjyer për 13 vite. Nuk do të rikthehem më kurrë në televizion”. Deklaratës i bëri jehonë edhe shoqata e gazetarëve në Teheran që bëri një deklaratë mjaft të fortë: “Ajo që po e rrezikon shoqërinë tonë në këtë moment nuk janë vetëm raketat apo sulmet ushtarake, por edhe mungesa e mediave të lira. Të fshehësh të vërtetën dhe të shpërndash gënjeshtra traumatizon opinionin publik. Ajo që ka ndodhur është një katastrofë për mediat në Iran”.
Në fakt, impakti është më shumë simbolik, pasi ndikimi i televizionit shtetëror është prej kohësh në rënie. Shumica e iranianëve nuk i ndjekin aty lajmet. Prej kohësh, iranianët përmes tv satelitore dhe internetit, ndjekin media alternative. Fakti që Jabbari e dha lajmin në Instagram, duke arritur kështu miliona lexues potencialë, e konfirmon. Edhe Telegram dhe WhatsApp janë të përdorur. Shumë site informacionesh të huaja nuk janë të bllokuar dhe për këtë është mundësia që duke përdorur VPN mund ti lidhësh. Për këtë arsye, nëntorin e kaluar autoritetet vendosën të bllokonin komplet internetin për një javë.
Sipas një sondazhi të Gallup të bërë në vitin 2012, iranianët kanë dyshime si tek televizioni i tyre shtetëror, ashtu edhe tek mediat e huaja. Mediat lokale mund të shërbejnë që t’iu fusin dyshime mendjes së njerëzve dhe ti bëjë ata të dyshojnë për narrativën perëndimore, por nuk mund ta zëvendësojnë të gjithën. Dorëheqja e tre spikereve tregon edhe limitin e kësaj strategjie.