Antonio Conte bëri çmos që Romelu Lukaku të vinte te Interi, edhe pse gjysma e tifozëve ishin kundër, edhe pse gazetat kishin dyshime dhe pikëpyetje të mëdha, edhe pse Manchester United mezi priste ta hiqte qafe.
Trajneri italian e vuri si kusht: ose vjen Lukaku, ose unë në fund të sezonit përshëndes! Praktikisht, një kusht që shtyu Interin të paguajë plot 65 mln euro dhe 10 mln të tjera bonuse, për të prekur thuajse 80 mln eurot. Ato euro që në atë kohë Lukaku nuk vlente pasi vinte nga një sezon të dështuar te “Djajtë e Kuq”.
Menjëherë tregoi dhëmbët dhe sot numëron 14 gola në kampionat, 2 në Kupën e Italisë dhe 2 në Champions League! Praktikisht, gol në çdo kompeticion që ka luajtur. Veç kësaj i shtohen edhe 4 asist (dy në kampionat dhe dy në Champions).
Sot, Lukaku vlen 80 mln euro dhe askush nuk mund të thotë të kundërtën.