Sport Zyrtare/ Supersfida Kukësi-Partizani do të luhet në “Air Albania Stadium”

Zyrtare/ Supersfida Kukësi-Partizani do të luhet në “Air Albania Stadium”

Stadiumi i ri kombëtar do të presë një tjetër sfidë interesante brenda janarit. Pas ndeshjes kualifikuese të kombëtares kuqezi kundër Francës, derbit të madh të kryeqytetit, Partizani-Tirana, dhe “sfidës së solidaritetit” mes veteranëve të Shqipërisë, Greqisë, Turqisë dhe Italisë, impianti modern futbollistik i kryeqytetit do të mbledhë sërish dashamirësit e shumtë të këtij sporti. Edhe kësaj here, “lakmuesi” për të mbledhur të ardhura financiare është Partizani, edhe pse do të jetë udhëtues më 26 janar, kur të përballet aty me Kukësin.

Është pikërisht klubit verilindor, ai që ka zyrtarizuar sot vend-zhvillimin e ndeshjes së javës së 19-të të Superiores në “Air Albania Stadium”: “FK Kukësi ka arritur të gjejë një akord me Federatën Shqiptare të Futbollit që ndeshja kundër FK Partizanit të luhet në “Air Albania Stadium”. Për informacione mbi çmimin e biletave dhe të tjera do të njoftoheni në ditët në vijim”.

Një ballafaqim i tillë, mes kampionëve dhe nënkampionëve të vendit në fuqi, mes dy skuadrave kryesore, që e mëtojnë titullin edhe në këtë sezon, me siguri ngërthen interes të madh te tifozët respektivë, por edhe të tjerët. Kuptohet, tifozët e kuq do të jenë më të shumtë në stadium, por në kryeqytet nuk mungojnë edhe kuksianët. Prandaj, sportivisht dhe financiarisht, kjo mund të konsiderohet një “goditje” për Kukësin.