Disa dokumente kanë zbuluar se si gruaja më e pasur e Afrikës, e bëri pasurinë e saj përmes korrupsionit.
BBC shkruan se Isabel dos Santos mori akses në një marrëveshje fitimprurëse që përfshinte tokë, vaj, diamante dhe telekomunikime kur babai i saj ishte president i Angolës, një vend i Afrikës Jugore i pasur me burime natyrore.
Dokumentet tregojnë se si ajo dhe burri i saj u lejuan të blejnë pasuri të vlefshme shtetërore në një seri marrëveshjesh të dyshimta.
Zonja Dos Santos thotë se akuzat kundër saj janë plotësisht të rreme dhe se ndaj saj po bëhet një gjueti shtrigash, e motivuar politikisht nga qeveria.
Vajza e ish-presidentit e ka bërë Mbretërinë e Bashkuar shtëpinë e saj tashmë dhe zotëron prona të shtrenjta në Londrën qendrore.
Ajo është vënë nën hetim penal nga autoritetet në Angola për korrupsion dhe pasuritë e saj në vend janë ngrirë.
Andrew Feinstein, kreu i Corruption Watch, thotë se dokumentet tregojnë sesi zonja Dos Santos shfrytëzoi vendin e saj në kurriz të qytetarëve.
“Sa herë që ajo shfaqet në kopertinën e një reviste diku në botë, sa herë që ajo organizon një nga festat e saj magjepsëse në jug të Francës, ajo po e bën këtë duke shkelur aspiratat e qytetarëve të Angolës”.
ICIJ i ka quajtur dokumentet “The Luanda Leaks”.
Një nga marrëveshjet më të dyshimta u drejtua nga Londra, përmes një filiali në Mbretërinë e Bashkuar të kompanisë shtetërore Angolan të naftës Sonangol.
Zonja Dos Santos ishte vënë në krye të Sonangol-it në vitin 2016, falë një dekreti presidencial nga babai i saj Jose Eduardo dos Santos, i cili mbajti në kontroll vendin e tij për 38 vitet që ishte në pushtet.
Por kur doli në pension si president në shtator 2017 pozicioni i saj ishte shpejt nën kërcënim, edhe pse pasardhësi i tij i zgjedhur vinte nga e njëjta parti. Zonja Dos Santos u pushua nga puna dy muaj më vonë.
Shumë qytetarë të Angolas janë habitur për mënyrën se si Presidenti Joao Lourenço ka shkuar pas interesave të biznesit të familjes së paraardhësit të tij.
Dokumentet e dala tregojnë se kur ishte në Sonangol, Znj Dos Santos miratoi 58 milion dollarë pagesa të dyshimta për një kompani konsulence në Dubai, të quajtur Matter Business Solutions.
Ajo thotë se nuk ka interes financiar për çështjen, por dokumentet e zbuluara zbulojnë se kompania konsulente drejtohej nga menaxheri i saj i biznesit dhe ishte në pronësi të një miku.
BBC Panorama mësoi që Matter dërgoi më shumë se 50 fatura në Sonangol në Londër, në ditën kur Dos Santos u pushua nga puna.
Zonja Dos Santos duket se ka aprovuar pagesa për kompaninë e mikut të saj pasi ajo u shkarkua.
Edhe pse disa punë konsulente ishin kryer nga Matter, ka shumë pak detaje në faturat për të justifikuar faturat kaq të mëdha.
Njëri kërkon 472,196 euro për shpenzime të paspecifikuara, një tjetër kërkon 928,517 dollarë për shërbime juridike të paspecifikuara.
Dy nga faturat – secila për 676.339.97 euro – janë saktësisht për të njëjtën punë në të njëjtën datë dhe Znj Dos Santos i nënshkroi ato të dyja gjithsesi.