Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur nga Ukraina marrëveshjen e sotme për rinisjen e fluturimeve Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas.
Në një postim në Twitter, Rama shprehet se ashtu siç tha Sekretari i NATO-s, kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor.
Rama thekson se ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë.
Shefi i qeverisë ka shigjetuar edhe njëherë homologun e tij, Ramush Haradinaj.
“Shumë mirë bëri edhe Ramushi që e përshëndeti këtë hap. Paqja është tejet e vështirë, por në asnjë rast ajo nuk fitohet me mjetet e luftës dhe popullariteti i përkohshëm që sjellin nganjëherë ato mjete, nuk i sjell asnjë hajër popullit e vendit”, shkruan Rama.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka nënshkruar të hënën (21 janar, 2020) në Berlin një marrëveshje me kompaninë gjermane Lutfhansa, për të hapur linjën ajrore Prishtinë–Beograd.
Të njëjtën marrëveshje me kompaninë gjermane e ka nënshkruar edhe delegacioni i Serbisë, nga Ministria e Ekonomisë.