Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, shfrytëzoi tryezën për korrupsionin, për t’i ripërsëritur kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkesën për plotësimin e vakancës me emërimin e dy prokurorëve të organikës së Prokurorisë Speciale.
I ftuar në konferencën rajonale “Hetimi financiar i korrupsionit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut”, të organizuar paraditen e sotme, Kraja nënvizoi vështirësitë që ka hetimi i zyrtarëve të lartë dhe në këtë betejë duhet të jenë të gjithë bashkë.
“Kemi nisur hetimet duke u fokusuar në çështje më të rëndësishme. Kemi rivendosur kontaktet me partnerët ndërkombëtarë për çështje që vazhdojnë të hetohen. Janë disa hetime të përbashkëta që bëhen për llogari të autoritete e huaja. Ndërkohë kemi miratuar paketën e plotë të akteve nënligjore për zgjedhjen e drejtorit dhe anëtarëve të Byrosë së Hetimit. Ne aktualisht kemi prokurorë por nuk kemi hetuesit. Kanë nisur aplikimet. Shpresojmë që deri më datën 30 të kemi një numë sa më të madh kandidatësh që më pas të mund të zgjedhim më të mirin dhe profesionistin”, tha Kraja në fjalën e tij.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme nënvizoi dhe punën e përbashkët. “Duhet të kesh bazë ligjore të mirë, strukturë dhe vullnet për të arritur. Ne i kemi. Por për të pasur rezultate duhet pak kohë”, tha Kraja.
“E rëndësishme është që jemi në rrugë të mirë. Për të pasur sukses duhet të jemi të gjithë bashkë. Duhen hequr barrierat kush e ka apo kush nuk e ka përgjegjësinë. Duhet të jemi në front të gjithë në luftën kundër krimit përndryshe nuk do të kemi sukses. Dështimi dhe suksesi duhet të jetë i të gjithëve bashkë”, përfundoi ai.