Frika e koronavirusit i ka kaluar kufijtë e Kinës. Që nga identifikimi i rastit të parë janë gjashtë personat që kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi. Autoritetet shëndetësor kineze thonë se janë 77 rastet e reja të prekura nga ky virus. 14 prej tyre janë punonjës shëndetësorë, çka rrit shqetësimet se spitalet mund të kthehen në burim epidemie, siç ndodhi në vitet 2002-2003 me SARS-in në spitalet e Kanadasë dhe Koresë.
Organizatat e shëndetësisë në alarm
Qendra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve është mbledhur më 17 janar në lidhje me situatën e krijuar, ndërsa një tjetër mbledhje pritet më 22 janar. Ndërkohë, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë mblidhet nesër për të diskutuar mbi ecurinë e deritanishme të virusit dhe masat parandaluese.
Bien bursat
Shtrirja e përhapjes së virusit u reflektua edhe në burse, të cilat ia kanë frikën përhapjes jashtë Kinës. Në mënyrë të veçantë, bursat aziatike u mbyllën me rënie. Rënia më e madhe është shënuar në bursat e Shangait, Shenzenit dhe Hong-Kongut. Por rënie ka pasur edhe në bursat e vendeve fqinje, kryesisht ato të Seulit, Mumbait dhe Tokios. Ky trend është reflektuar edhe në bursat europiane, që u hapën me tregues negativë.
Raste në vendet fqinje
Përtej Kinës, raste të dyshuara ka edhe në Tailandë, Japoni dhe Kore të Jugut. Ekspertët konsiderojnë se rreziku i mbërritjes në Europë është ende i vogël. Megjithatë duhet mbajtur në vëmendje se provinca Wuhan, ku virusi u shfaq për herë të parë dhe numri i të prekurve është më i madh, ka fluturime direkte me tre aeroporte europiane, mes të cilëve Fiumicino në Romë.
Çfarë është koronavirusi?
Nën këtë term përfshihen një grup virusesh që shkaktojnë infeksione të sistemit respirator, që nga ftohjet e zakonshme deri te SARS dhe MERS. Ky është lloji i shtatë i një virusi të ri që hyn në familjen e koronaviruseve.
Simptomat fillestare janë: ethe, kollë, shtrëngime në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje. Në disa pacientë, skanimet kanë treguar lëngje në mushkëri, si në rastet e penumonisë virale.
Forma e re e koronavirusit duket se e ka origjinën në një treg prodhimesh deti në qytetin Wuhan, në Kinën qendrore, një zonë me lidhje të shumta transporti me të gjithë vendin. Fillimisht, autoritetet shëndetësore menduan se virusi nuk transmetohej nga njeriu te njeriu. Por më 20 janar Komisioni Kombëtar Shëndetësor i Kinës konfirmoi të kundërtën.
Edhe SARS, një virus i ngjashëm, u shfaq në Kinë në fund të vitit 2002. Ai u përhap në disa vende dhe la të vdekur 88 njerëz. Qeveria kineze fillimisht u përpoq të fshihte ashpërsinë e epidemisë SARS, por përhapja dhe rrezikshmëria e saj u ekspozuan nga një mjek i rangut të lartë.