Një mega-operacion policor i koduar “Vele” është zhvilluar në Leçe të Italisë paraditen e së martës dhe tre shtetas shqiptarë nën hetim janë arrestuar, së bashku me 16 të tjerë, kryesisht italian. Ky grup cilësohet si kriminal e mafioz dhe rezulton i përfshirë në trafikimin e drogës në Salento, ndërsa në total për rastin janë hetuar 49 persona.
Në këtë operacion u përfshinë mbi 100 efektivë dhe një helikopter, ku u zbatuan 16 urdhër-arreste me burg të lëshuara nga prokuroria Antimafia dhe të firmosura nga gjykata e Leçes, ndërsa banda ka lidhje me klanin famëkeq të “Sacra Corona Unita”.
“Corriere” raporton se shqiptarët që bënin pjesë në këtë grup kriminal janë Eltian Isufaj, 30 vjeç, me banim në kampin e romëve “Panareo” në Leçe, Soni Hajdari, 28 vjeç, me vendbanim të njëjtë dhe aktualisht nën arrest shtëpiak dhe Krenar Skendaj 46 vjeç, aktualisht pas hekurave në Campobasso.
Organizata kriminale, sipas hetimeve, vepronte në Leçe e Brindisi, duke kontrolluar pjesë të trafikut të drogës, ndërsa disa anëtarë të saj kanë ushtruar presion ndaj familjes së një bashkëpunëtori të drejtësisë italiane.
Gjatë hetimeve, janë sekuestruar sasi të ndryshe droge të llojit kokainë, heroinë, hashash e marijuanë që në disa raste vinin nga Shqipëria.