Maria Clare de Rada është arbëreshe dhe rrjedh nga familja e shkrimtarit të madh rilindas Jeronim de Rada. Ajo është me profesion diplomate dhe është njëkohësisht bashkëshortja e Ambasadorit të Brazilit në Shqipëri. Në vendin tonë ka ardhur për të jetuar para një viti e gjysmë. E ftuar këtë të shtunë në emisionin “Rudina”, ajo tregoi se si kishte zbuluar origjinën e saj.
Rreth vitit 1875 tre vëllezër Franceso, Agostino dhe Salvatore de Rada emigruan nga Kalabria në Brazil, në qytetin Soledade-s. Gjyshi i Marie, Salvatore, kishte qenë kushëri i Jeronim de Radës. Salvatore qëndroi në Brazil dhe lindi fëmijë atje. Më i vogli i fëmijëve, i cili është edhe gjyshi i Marie Clare de Rada, quhej Jozef de Rada dhe ai nuk e kishte njohur të atin Salvatore, pasi ky i fundit vdiq kur Jozefi ishte 3 vjeç. Deri në vitet ’90 familja Marie Clare de Rada nuk e dinte për prejardhjen arbëreshe. E vetmja mënyrë nga e cila morën vesh që ishin shqiptarë, ishte nëpërmjet varrit ku ishin varrosur tre vëllezërit, stërgjyshërit e Marie.
“Për shumë vite me radhë familja ime ka besuar që kishim origjinë italiane. Stërgjyshi im na thoshte që babai im ka ardhur nga Kalabria, por ka qenë vetëm 3 vjeç kur i ati ka vdekur dhe ka thënë që di që babai im fliste një gjuhë shumë të çuditshme, por mendonim se ndoshta mund të ishte ndonjë dialekt kalabrez. Ne asnjëherë nuk e morëm vesh se çfarë ishte kjo gjuhë e veçantë. Duke qenë se gjyshi insistonte se ai fliste një gjuhë që askush nuk e kuptonte, u bëmë kuriozë”.
E vetmja e dhënë që kishin ishte shërbimi mbi pllakën e varrit të cilin nuk e kuptonin dhe këtu nisi historia.
“Kur një nga vëllezërit vdiq, vëllai tjetër i la këtë mesazh, kjo ishte e vetmja gjë që kishim që të hetonim këtë gjuhë. Askush që ne njihnim nuk dinte asgjë për atë gjuhë. I bëmë një foto gurit të varrit dhe e merrnim me vete kudo që shkonim. Duke qenë se bashkëshorti im është shumë kurioz, ua tregonte personave të ndryshëm dhe i pyeste nëse e dinin se çfarë do të thoshte ky mesazh. Më në fund kur arritën në Japoni dhe u vendosëm në Tokio, në vitet 2000, takuam një zonjë që vinte nga ish-Jugosllavia. Menduam ndoshta kjo gjuhë është me origjinë sllave dhe e pyetëm. Ia treguam zonjës këtë gjuhë të çuditshme dhe ajo tha jo nuk e njoh këtë gjuhë. Por bashkëshorti i saj ishte një burrë që kishte shumë njohuri dhe ishte personi i parë që na dha një indicie. Na tha që kishte dëgjuar se në të shkuarën kishte pasur emigrime të mëdha të komunitetit shqiptar në Kalabri. Ndoshta është shqiptar, na tha. Në atë kohë interneti sapo kishte nisur, nuk kishte rrjete sociale, por kishte forume dhe bashkëshorti gjeti një bisedë mes shqiptarëve në SHBA. Papritur nisëm të kishim përgjigje, njerëzit e njihnin këtu gjuhë. Ishte diçka magjike”.