Ari ishte një nga të paktat investime për të cilin kërkesa dhe çmimi veçse po njihnin rritje, ndërsa shqetësimet për përhapjen e koronavirusit kanë çuar pjesën dërrmuese të tregut në rënie.
Ari tani është me 20% më shumë se vitin e kaluar dhe po tregtohet me 1600 USD për ounz, niveli më i lartë që prej 2013-ës. Disa metale të tjera me vlerë si argjendi dhe platinumi kanë pësuar rritje të çmimeve gjithashtu. Ndërkohë Dow Jones ka rënë me 350 pikë e kjo ndodhi gjatë mesit të ditës së djeshme.
Disa ekspertë pyesin veten nëse ari mund të kapi vlerën prej 2000 dollarë në të ardhmen e afërt. Hera e fundit që ari ka kapur vlerën afër 1900 dollarëshit ka bënë në 2011-ën, në mesin e krizës së borxhit Europian.
Ari dhe minatorët e arit zakonisht vlerësohen shumë gjatë kohës kur investitorët ndihen të frikësuar.
Interesante ishte fakti që në tregun e aksioneve ndonëse pjesa dërrmuese e aksioneve po pësonte humbje, kompania e minierave Newmont (NEM) ishte nga të paktat aksione në S&P500 që po tregtohej me vlera të larta ditën e djeshme. Në fakt investimet në aksionet e lidhura me industrinë e arit kanë qënë një investim i mirë gjatë kësaj kohe. Fondi i tregtueshëm VanEck Vectors Gold Miners ETF (GDX) (i përbërë nga kompani të lidhura ngushtë me industrinë e arit) ka pësuar rritje me 40% përgjatë këtij vitit.
Indikatori i Frikës dhe Lakmisë i CNN Business (matës i cili në bazë të shtatë matjeve të ndryshme përcakton ndjenjat apo emocionet e tregut) ka rënë gjatë javës së kaluar dhe tani nuk është larg tregimit të ndjenjës së frikës që tregu po përjeton. Indikatori ishte në territorin e ndjenjës së lakmisë ekstreme javën e kaluar.
“Ka shumë gjëra që mund të shkojnë keq në tregun e aksioneve dhe ndikimi që vjen nga ngadalësimi ekonomik i Kinës prej koronavirusit mund të ndjehet së shpejti globalisht”, ka thënë David Beahm, presidenti dhe CEO i Blanchard & Company.
Por ari ka qenë duke performuar mirë edhe përpara se koronavirusi të ishte përhapur. Pse?
Tre ulje të njëpasnjëshme të normave të interesit nga Rezerva Federale vitin e kaluar çuan në dobësimin e dollarit amerikan. Kjo e ka bërë arin më tërheqës se kartëmonedhat amerikane apo çfarëdo lloj kartëmonedhe tjetër, veçanërisht më tërheqëse se paraja japoneze apo e disa vendeve në Europë (si psh franga zviceriane) ku normat e interesit janë negative.
Ari nuk është i vetmi produkt që ka marrë vlera të larta nga shqetësimet që vijnë nga zhvlerësimi i dollarit apo normat e ulta. Çmimet e argjendit, platinumit dhe palladium-it kanë pësuar gjithashtu rritje të madhe përgjatë këtij viti.
Kjo rritje përbën shumë sens duke marrë parasysh që normat e interesit janë të ulta dhe dollari po dobësohet. Por shtrohet pyetja sa ekspozim duhe të ketë një investitor afatgjatë ndaj metaleve të çmuar në një portofol pensionesh?
“Një alokim i fondeve në 5% dhe 10% në produktin e arit dhe aksioneve lidhur ngushtë me të, respektivisht, do ishte e arsyeshme”, thotë Ralph Aldis, një menaxher portofolesh me klientelë kryesisht nga tregu amerikan.
Aldis thotë që ari do të vazhdojë të rritet dhe jo sepse veçse investitorët e zakonshëm po nervozohen dhe po e kërkojnë atë si një strehë të sigurt. Por edhe bankat e mëdha qendrore nëpër botë kanë filluar ta mbajnë arin sikur të ishin Scrooge McDuck (personazh vizatimor që ruante në banesën e tij sasi të mëdha ari).
Sipas të dhënave nga Këshilli Botëror i Arit (World Gold Council), blerjet e arit nga bankat qëndrore janë rritur me 12% gjatë tremujorëve të parë të 2019-ës krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Bankat qëndrore kanë shtuar 547 tonë në depozitat e tyre.
“Investitorët janë nervozë për një mori faktorësh përtej frikës së koronavirusit”, thotë Aldis. “Politikat monetare të lirshme në të gjithë botën po krijojnë një mjedis jo të shëndetshëm për aksionet e kjo vihet re e nga fitimet e korporatave që ranë në mënyrë të vazhdueshme vitin e kaluar. Sistemi i bankave qendrore në Amerikë është duke derdhur sasi të mëdha likuiditeti në treg e kjo rrit vlerën e aksioneve por jo fitimet e kompanive. Njëkohësisht kjo situatë i bën njerëzit më të shqetësuar”, shton Aldis.
David Beahm, Shef Ekzekutiv i Blanchard & Company, thotë se shqetësimet e më shumë tensioneve që mund të vijnë nga Lindja e Mesme nuk janë larguar akoma. Gjithashtu tregu i aksioneve mund të bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm këtë vit për shkak të shqetësimeve në lidhje me zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Beahm argumenton se investitorët duhet të kenë midis 10% dhe 15% të portofolit të tyre në metale.
“Ky vit do të jetë një tjetër vit me rritje dyshifrore në përqindje për arin. I cili mund të arrijë nivele rekord e të kapë shifrën 2000 USD, e madje nëse jo këtë vit atëherë shumë shpejt në të ardhmen e afërt”, pohon Beahm.